TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2025, 08:49

Vakanca në Kushtetuese, KED publikon pikët për 6 kandidatët; emrat më të vlerësuar

Shkruar nga Pamfleti

Vakanca në Kushtetuese, KED publikon pikët për 6 kandidatët;

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar renditjen për 6 kandidatët që synojnë pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, pas vakancës së krijuar me largimin e Holta Zaçaj.

Referuar një njoftimi zyrtar, dy nga kandidatët që kanë marrë pikë shumë më tepër se të tjerët janë Asim Vokshi dhe Naureda Llagami, përkatësisht me 89.5 pikë dhe 89.3 pikë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidaturave për të cilët është vendosur lejimi për konkurimin në vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të dispozitave ligjore, pas shqyrtimit të gjithanshëm të dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga ky Këshill si dhe komunikimit me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturave, bën publike rezultatin e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve, sipas kësaj renditje:

1) Asim Vokshi   89.5   pikë;

2) Naureda Llagami  89.3   pikë;

3) Florjan Ballhysa  77.83 pikë;

4) Alma Faskaj  77.77 pikë;

5) Genta Tafa (Bungo) 75.44 pikë;

6) Alban Toro   74.22 pikë.

Në zbatim të nenit 239 të ligjit nr. 115/2016 dhe Vendimit nr. 5 datë 02.04.2019 “Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, KED do të miratojë edhe Raportin e arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes përfundimtare të tyre, me qëllim dërgimin e tij më pas te organi i emërtesës, Gjykata e Lartë.

Pas vlerësimeve nga KED dhe renditjes së emrave sipas pikëve, i takon Gjykatës së Lartë që të zgjedhë emrin që do të jenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar kështu anëtaren Holta Zaccaj.

Kjo nuk është e vetmja vakancë në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska, edhe Kuvendi duhet të emërojë një anëtar të ri.

Megjithatë, procesi është pezulluar deri në një vendim të pritshëm nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të përcaktojë zyrtarisht kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve aktualë.

Në fillim të këtij viti, Presidenti i Republikës i kërkoi Kushtetueses të sqarojë periudhën e fillimit dhe përfundimit të mandateve të gjyqtarëve.

Ky vendim, që pritet në muajin shtator, do të përcaktojë nëse pasuesi i Elsa Toskës do të ketë një mandat të plotë apo të pjesshëm.

 

Lini një Përgjigje