Lexues të Pamfleti ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
1. Samiti i Davosit/ Pse Rama shmangu fotot me "vëlla" Aleksin?
Forumi Ekonomik i Davos-it këtë vit u dominua nga zhvillime të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike, që nga përplasjet mbi Groenlandën te kërcënimet me tarifa tregtare dhe krisja e marrëdhënieve SHBA–Europë, deri te debati për Bordin e Paqes.
Megjithatë, përtej “elefantit në dhomë”, në Davos u vunë re edhe disa sinjale më të vogla, por domethënëse. Një prej tyre ishte mungesa e një fotografie tashmë të kthyer në traditë: ajo mes kryeministrit Edi Rama dhe mikut të tij Alex Soros. Pavarësisht se kanë kaluar disa ditë nga përfundimi i forumit, Soros, ndryshe nga herët e tjera, nuk ka publikuar asnjë foto me Ramën.
Mbase ftesa e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump drejtuar kryeministrit Rama për t’u bërë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes ka ‘krisur’ miqësinë e gjatë. Kjo pasi gjatë kohës kur SHBA-ja dhe administrat Trump i kishin mbyllur çdo derë komunikimi, Rama mburrej me miqësinë që kishte me Alex Sorosin.
Sot, panorama duket se ka ndryshuar. Riaktivizimi i marrëdhënieve me familjen Trump dhe hapja e një kanali të ri komunikimi me administratën amerikane duket se e ka detyruar Ramën të tregojë më shumë kujdes. Shmangia e fotove me Alex Soros, i perceptuar si një kundërshtar i hapur i Donald Trump në SHBA, nuk është rastësi, por pjesë e një kalkulimi politik më të gjerë.
2. Ftesa nga SHBA/ Gjenerali shqiptar: Tony Blair loboi te Trump për Ramën
Gjeneral Dedë Prenga ka hedhur dritë mbi prapaskenat e lobimit ndërkombëtar në favor të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ish-kryeministri britanik Tony Blair ka ndikuar drejtpërdrejt në lobimin personal pranë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Bordin e Paqes.
Prenga u shpreh se mungesa e kryeministrit Rama në forumin e Davosit nuk mund të konsiderohet zgjuarsi, duke theksuar rëndësinë që Shqipëria të jetë e pranishme në tryezat ndërkombëtare.
Duke folur për çështjen e lobimit, Prenga sqaroi se nuk bëhet fjalë për lobim në interes të Shqipërisë si shtet, por për një lobim personal.
Sipas tij, ndikimi i Tony Blair është i padiskutueshëm, për shkak të marrëdhënieve që ai ka në nivel ndërkombëtar.
3. Altin Dumani dhe Andon Pango/ Historia përtej një video-je
Publikimi i videos nga Pamfleti nuk solli një ngjarje të re, por riktheu në vëmendje një histori që ekziston prej vitesh në dokumente, banka dhe regjistra pronash, një histori që nuk është shpjeguar kurrë thjesht për publikun dhe që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet pronësore dhe financiare mes Altin Dumanit dhe Andon Pangos
Kjo histori nis në vitin 2006, në një kohë kur Andon Pango ishte aktiv në tregun e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme në Tiranë, ndërsa Altin Dumani kryente një blerje konkrete, të dokumentuar, të një apartamenti rreth 130 metra katror pranë Kopshtit Zoologjik, një zonë që edhe në atë kohë nuk konsiderohej periferi, por një zonë ku çmimet e pallateve ishin të larta dhe kërkesa ishte e fortë
Në kontratën e shitblerjes, çmimi i shënuar është rreth 50 mijë euro, një vlerë që për atë zonë dhe për atë periudhë rezulton dukshëm më e ulët se çmimet reale të tregut, diferencë që nuk kërkon shumë llogari për t’u kuptuar, mjafton të shohësh shitjet e tjera të asaj kohe në të njëjtën zonë
Por ajo që e bën këtë blerje të ndalosh dhe të mendosh nuk është vetëm çmimi, është mënyra si u financua, sepse nga 50 mijë euro vetëm rreth 9 mijë euro rezultojnë si kursime personale, ndërsa pjesa tjetër u mbulua me kredi bankare dhe garant për këtë kredi del vetë Andon Pango, pra njeriu që po shiste apartamentin, një praktikë që në jetën reale nuk ndodh zakonisht dhe që tregon një lidhje shumë më të fortë financiare mes palëve sesa një shitblerje e zakonshme
4. Gjergji Taho, nga drejtor licencash te Durana Park/ Hallkë kyçe e grupit kriminal të Durrësit
Emërimi i Gjergji Tahos si Drejtor i Licencave të Basteve Online dhe njëkohësisht drejtor i parkut “Durana” nuk u bë përmes konkurrimit, por përmes ndikimit të grupit kriminal të Durrësit te Edi Rama, pasi ky grup që është nën hetim nga SPAK, e ka përdorur Gjergji Tahon për fshehje, transferim dhe pastrim milionash nga korrupsioni dhe trafiqet.
Emri i Gjergji Tahos është skeduar në dosjen e SPAK si pjesë drejtuese dhe aktive e veprimtarisë së grupit të Durrësit, në rolin e menaxhimit të milionave të siguruara nga bizneset ilegale të call-centerave, basteve online,
rrjeteve informatike, pjesëmarrjeve fiktive në tenderë dhe financimeve të fshehta në ndërtim dhe turizëm.
Për të ushtruar lirisht këtë veprimtari të paligjshme, Gjergji Taho ka krijuar dhe përdorur shtatë kompani dhe tre subjekte “Person Fizik”, duke pasur mbrojtjen e grupit kriminal dhe, përmes tij, garancinë e paprekshmërisë nga policia dhe tatimet.
5. Berisha në Strasburg/ Zhvendos betejën me Ramën në Asamblenë Parlamentare të KiE
Kreu demokrat, Sali Berisha, duket se ka zhvendosur betejën me Edi Ramën në Strasburg, atje ku do të zhvillohet mbledhja e rradhës e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Pas protestës kombëtare të 24 janarit kundër Edi Ramës, Berisha ka urdhëtuar drejt Strasburgut, ku bashkë me deputeten Albana Vokshi, do të jenë në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Në një videomesazh, Berisha deklaroi se opozita po vijon betejën e saj kundër narkoshtetit dhe keqqeverisjes së Edi Ramës, duke theksuar se kjo betejë po e çon kauzën e saj në arenën ndërkombëtare dhe në vëmendjen e institucioneve europiane.
“Mirëmëngjes, miq! Një përshëndetje të përzemërt nga selia e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, ku jemi sot këtu bashkë me Albana Vokshin, për të vazhduar betejën tonë kundër narkoshtetit dhe Ramaduros. Ditë të mbarë të gjithëve!”, thekson Berisha në mesazhin e tij të bërë public në rrjetet sociale.
Për më shumë, klikoni tek lajmet e orës 12.00:
Lini një Përgjigje