
Ndiqni zhvillimet kryesore të ditës në një përmbledhje disa minutëshe.
Ky është Edicioni Informativ Ora 18:00:
Shqipëria po përballet me kritika të forta ndërkombëtare. Revista amerikane National Interest ngre alarmin se vendi po rrëshqet drejt autokracisë, duke u shndërruar në rrezik për investimet amerikane. Paralelisht, FMN kundërshton kursin ekonomik të qeverisë Rama, duke paralajmëruar se politikat aktuale mund të minojnë arritjet ekonomike dhe të ngadalësojnë integrimin europian.
Në planin e brendshëm, sistemi shëndetësor mbetet në krizë. Skandalet në Onkologjik vijojnë, ndërsa kryeministri gjatë një vizite në QSUT foli për “standarde” dhe reputacion, duke shmangur përgjegjësitë. Në politikë, Sali Berisha paralajmëron protesta afatgjata, ndërsa Gjykata e Tiranës ka liruar 4 protestues të PD-së, me masën “detyrim paraqitje”.
Në drejtësi, SPAK kritikohet për mbajtjen “në sirtar” të dosjes IPARD, duke ngritur dyshime për amnisti politike, ndërsa ka kaluar për gjykim dosjen e mjekut Edvin Prifti, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërkohë, dy zëvendësit e ministres Balluku largohen nga detyra, me ndryshime në ARRSH dhe KESH.
Në fushën e sigurisë, Shqipëria pajiset me raketat “Javelin”, por kostot mbahen të fshehta. Në rajon, dialogu Kosovë–Serbi mbetet i bllokuar, me Kurtin që kërkon dorëzimin e Radoiçiçit. Ndërkombëtarisht, Zelensky prezanton 20 pikat e Planit të Paqes për Ukrainën.
Në fund, rritet fluksi në Kapshticë për festat, Kryepeshkopi Joani apelon për ndihmë ndaj të varfërve, ndërsa FSHF zbulon preferencat muzikore të futbollistëve të Kombëtares për 2025.
Lini një Përgjigje