Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjyq dy zyrtarë të Bashkisë së Fierit dhe një drejtor të tatimeve në rajonin jugor, për shpërdorim detyre.
Sipas prokurorisë, drejtoresha e përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës, Adela Hysenaj, e cila më parë ka mbajtur postin e nënkryetares së bashkisë, nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e kasës fiskale në pikat e parkimit që administrohen nga bashkia, duke shmangur mbledhjen e taksave në vlera të konsiderueshme.
Hetimi ka zbuluar se, përmes ndikimit të saj mbi drejtoritë në varësi, janë realizuar faturime fiktive për disa subjekte, të cilat u taksoheshin me vlera më të ulëta. Në një rast specifik, është lëshuar një vërtetim që pohonte se një subjekt nuk kishte asnjë detyrim për të paguar taksa, megjithëse kishte borxhe të papaguara. Zyrtarët akuzohen për mosarkëtimin e mbi 400 mijë eurove nga taksat e parkingut publik që administron bashkia, duke favorizuar persona të caktuar dhe duke shpërdoruar detyrën në disa raste.
Gjithashtu, Drejtoresha e Taksave në bashki, Anisa Cjapi, dyshohet se ka favorizuar disa subjekte përmes faturave fiktive që nuk përputheshin me vlerat reale të taksave. Ndërkohë, Vasil Çeku, drejtor i DVKT-së për Rajonin Jugor, akuzohet se ka urdhëruar inspektorët të kryejnë kontrolle vetëm në një subjekt tregtar, pa një urdhër pune të dhënë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Lini një Përgjigje