SPAK: Hetimet për aferat me fondet IPARD, vetëm në fazë paraprake!
Prokuroria e Posaçme vijon të mbajë të kyçur në sirtar dosjen abuzive me fondet IPARD. Edhe pse vetë OLAF ka dorëzuar një dosje voluminoze në SPAK dhe dokumentet me faktet janë aty, SPAK duket se e ka marrë me qetësi këtë punë, ndërkohë që Ilir Beqajt i vunë prangat brenda pak javësh kur zbuluan se paguante dreka e darka me fondet e Brukselit.
Ashtu sikundër “Pamfleti” e ka denoncuar disa herë se Rama dhe SPAK kanë “amnistuar” Frida Krifcën, duket se kjo po konfirmohet zyrtarisht nga prokuroria.
SPAK ka publikuar në regjistrin e transparencës pyetjet që ka marrë gjatë muajit nëntor dhe disa prej tyre kanë qenë: "Duke qenë se SPAK ka konfirmuar ekzistencën e procedimit penal lidhur me programin e IPARD II dhe bashkëpunimin me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), a mund të sqaroni nëse janë zhvilluar deri më tani takime apo misione të përbashkëta hetimore ndërmjet SPAK dhe OLAF? A ka marrë SPAK në përdorim asistencë teknike apo ekspertizë financiare nga strukturat e BE-së (OLAF, EPPO, DG AGRI) në kuadër të hetimit të IPARD II? A ka bërë njoftim zyrtar SPAK për ngrirjen apo sekuestrimin e aseteve që lidhen me përfitime të dyshuara nga fondet IPARD II?".
Por edhe pse në këtë pyetje thuhen të gjitha, përgjigjja e SPAK ka qenë e shkurtër, e thatë dhe konfirmon se Frida Krifca do të vijojë të ‘hajë luleshtrydhe’ e qetë.
"Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, veprimet hetimore që kryhen në fazën e hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve, nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre", shprehet SPAK.
Pra, prokuroria deklaron se është në fazë verifikimesh paraprake, ndërkohë që ka dy vite që ka pasur kallëzime dhe Shqipëria është pa fonde. Lidhur me këtë situatë ka folur pak ditë më parë edhe komisionerja Marta Kos, e cila i ka dërguar qeverisë mesazh që të jetë e kujdesshme.
Po ashtu, vetë shefja e OLAF pak kohë më parë u takua me ish-kreun e SPAK, Altin Dumani. Gjithashtu erdhi në Tiranë një mision monitorimi lidhur me fondet e BE-së dhe dje pati një vizitë në SPAK. Por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje nga organi i akuzës, edhe pse dosja është gati. OLAF ka dërguar shumë prova që tregojnë se si janë vjedhur miliona euro. /Pamfleti
Lini një Përgjigje