Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash, veçojmë:
1500 shqiptarë në Emiratet Arabe/ MEPJ: Situata është e qetë, të gjithë të bëjnë kujdes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmeve iraniane në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë të ditur se situata aktualisht paraqitet e qetë dhe nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të lënduar.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet shqiptare janë në kontakt me strukturat përkatëse në terren, ndërsa qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Emirate u është kërkuar të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Ministria informon gjithashtu se hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe është mbyllur përkohësisht, si masë sigurie pas zhvillimeve të fundit.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi është vënë në dispozicion të plotë të qytetarëve shqiptarë për çdo nevojë apo informacion shtesë.
Rrëshqitja e tokës/ Çahet edhe rruga drejt Gjinarit
Një rrëshqitje toke ka dëmtuar rrugën e Gjinarit, në Bashkinë e Elbasanit, duke krijuar rrezik për qarkullimin e automjeteve në një nga zonat turistike më të njohura të vendit.
Lëvizja e terrenit ka prekur shtresën e asfaltit në këtë segment, ku janë shfaqur çarje dhe deformime të dukshme. Aksi shërben si lidhje për disa fshatra të zonës së Gjinarit dhe përshkohet çdo ditë nga automjete transporti. Dëmtimi i tij vështirëson lëvizjen dhe rrit rrezikun për drejtuesit dhe pasagjerët.
Gjinari mban statusin e fshatit turistik në Bashkinë Elbasan. Megjithatë, problematikat infrastrukturore vijojnë në pothuajse të gjitha segmentet rrugore që të çojnë drejt tij. Bashkia ka realizuar investime në qendër të fshatit, por akset lidhëse mbeten me probleme.
Banorët kërkojnë stabilizimin e terrenit dhe rehabilitimin e plotë të rrugës për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur pasoja në zhvillimin turistik të zonës, veçanërisht në prag të sezonit pranveror dhe veror, kur numri i vizitorëve drejt Gjinarit rritet.
Qen pitbull kundër banorëve të Rrjollit/ Erzen Breçani, mercenari që mbron Bashkim Ulajn
Krahas punonjësve të Policisë së Shtetit, oligarku Bashkim Ulaj ka angazhuar edhe kompaninë e sigurisë BREÇANI R.O.S.P. të ish-drejtuesit të Policisë Tiranë, Erzen Breçani, kundër banorëve të Rrjollit, të cilëve Ulaj u ka grabitur dhe zaptuar me forcë pronat e ligjshme dhe të konfirmuara me vendime gjykatash, për të ndërtuar një resort privat. Mercenarë të Erzen Breçanit, i arrestuar si grup kriminal dhe që ka përlarë 50 milionë euro tenderë publikë, kanë sulmuar ditët e fundit banorët e Rrjollit, të cilët po mbrojnë pronat e tyre, të trashëguara brez pas brezi, nga zaptuesi Bashkim Ulaj.
Në përplasjen e radhës mes policisë dhe banorëve për resortin e Bashkim Ulajt, u shfaq edhe një grup mercenarësh të Erzen Breçanit, të cilët sulmuan banorët e Rrjollit, duke angazhuar edhe qen pitbull. Ndërkaq, këto pamje tregojnë një prej punonjësve të sigurisë private të punësuar nga Ulaj, rekrutuar nga Erzen Breçani, i cili ka qëlluar me grusht një djalë të ri, i cili proteston për të mbrojtur tokën e tij.
Ndryshimet në Qeveri, Rama takon Begajn
Kryeministri Edi Rama do të takojë sot Presidentin Bajram Begaj, pak ditë pasi njoftoi ndryshimet në Kabinetin Qeveritar.
Takimi mes Kryeministrit dhe Presidentit do të mbahet në Pallatin e Brigadave, në të njëjtin vend, ku Rama pak ditë më parë njoftoi ndryshimet në Qeveri, gjatë një mbledhjeje të Grupit Parlamentar socialist.
Në takim, Rama pritet t’i dorëzojë Presidentit ndryshimet në Qeveri dhe më pas do të jetë Kreu i Shtetit që do të dekretojë ministrat e rinj.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar ndodhin vetëm 5 muaj nga momenti i krijimit të Qeverisë, pasi Rama mori mandatin e 4-t si Kryeministër.
Për më shumë, klikoni tek lajmet e orës 12.00
Lini një Përgjigje