Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Vijon shembja e rrugës në Librazhd/ Rama në Korçë me helikopter
Segmenti rrugor në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, nuk u hap në mesditë siç ishte parashikuar, teksa prej ditësh rruga që lidh Tiranën me juglindjen e vendit është e bllokuar për shkak të shembjes në aksin Librazhd-Prrenjas.
Rruga dytësore e ndërtuar për të mundësuar kalim të përkohshëm pësoi fundosje dhe rrëshqitje toke.
Masa e dheut që lëvizi dëmtoi ndërhyrjen e realizuar gjatë ditëve të fundit. Autoritetet e konsiderojnë të pakalueshëm për një periudhë të pacaktuar këtë segment, i cili lidh disa zona të rëndësishme. Për shkak të rrezikut nga shembje të tjera, u larguan mjetet e firmës që po punonte në terren.
Strukturat përgjegjëse ndaluan edhe lëvizjen e këmbësorëve në këtë pjesë të rrugës. Situata e krijuar në orët e fundit ka alarmuar strukturat shtetërore dhe qeverinë shqiptare, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes.
ipas raportimit të mediave, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës, por për shkak të bllokimit të rrugës, ai do të udhëtojë me helikopter.
Policia e Korçës është lajmëruar se kreu i qeverisë do zbresë me helikopter në 11:00 në Korçë, për inaugurimin e Polit të Dijes.
Nga kryeministria nuk ka njoftim në lidhje me takimin në fjalë, ndërsa mediat e Korçës kanë raportuar lajmin mbi vizitën në fjalë.
Ndërkohë ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga kryeministri dhe ministritë si do të procesohet, por vetëm bllokime dhe pezullime në kurriz të qytetarëve.
Shembja e rrugës në Librazhd/ Berisha: Pasojë e vjedhjes dhe korrupsionit
Kreu i PartisëDemokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish lidhur me shembjen e segmentit rrugor Librazhd–Prrenjas, duke hedhur poshtë pretendimet se shkak i dëmtimit ishte moti.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha deklaron se arsyeja reale e shembjes së rrugës lidhet me “vjedhjen dhe korrupsionin”, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe përpjekje për të justifikuar situatën me faktorë natyrorë.
Në reagimin e tij, ai ka shpërndarë edhe një video të gazetarit Osman Stafa, për të cilën shprehet se “tregon qartë fytyrën e vërtetë” të situatës.
Berisha tha gjithashu se kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gënjeu kur deklaroi se shembja e urës ka ndodhur për shkak të amortizimit ndër vite dhe faktorëve natyrorë. Ai akuzon drejtpërdrejt qeverinë teksa shprehet se janë "mashtrues dhe hajdutë".
Mbledhja e Këshillit të Mandateve/ Kreu i SPAK dhe motra e Ballukut në kryesinë e Kuvendit
Ka mbërritur në kryesinë e Kuvendit për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kreu i SPAK Klodian Braho së bashku me dy prokurorët që kanë në dorë çështjen e Belinda Ballukut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Gjithashtu në Kuvend ka mbërritur dhe motra e Belinda Balluku, Pamela Qirko në cilësinë e avokates. Pra Balluku në Këshillin e Mandateve, do të përfaqësohet dhe nga Pamela Qirko përveç avokatit Ardian Kalija.
Sot në orën 10:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër zv.kryeministres e njëkohësisht ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Kjo e fundit është pezulluar nga detyra, ndërsa SPAK kërkon arrestimin. Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më parë se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës, duke argumentuar se Balluku mund të hetohej lehtësisht ndërsa është e pezulluar, duket se kjo qasje ka ndryshuar.
Fillimisht, socialistët paralajmëruan se do të prisnin publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por vendimi për thirrjen e Këshillit të Imunitetit erdhi pas një kërkese të Bashkimit Europian, që vuri theksin tek nevoja për një trajtim të shpejtë të çështjes të imunitetit parlamentar, si pjesë e angazhimeve për luftën kundër korrupsionit.
Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i mundësonte SPAK-ut të kërkojë masa të tjera ndaj Ballukut, duke përfshirë arrestin me burg, arrestin në shtëpi apo masa kontrolli në banesë.
Megjithatë, për këto masa, autoriteti i Kuvendit mbetet vendimtar. Për veprime të tjera si “detyrim paraqitje” apo kontrolli i pasaportës, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar.
Greta Deljani, ish-shefja e kabinetit të Bashës/ Pastrim parash me call center-at e grupit Cara-Hoxha
Nga kreu i kabinetit të Bashës në Bashkinë e Tiranës, në administratoren e kompanive që pastrojnë miliona eurot e mashtruara nga qytetarët e BE-së. Ky është evolucioni i Greta Deljanit, një emër që del tashmë në qendër të rrjetit të Luis Hoxhës dhe bandës së FRPD-së që ka terrorizuar financiarisht evropianët përmes call center-ave të mashtrimit.
E afërta e Lulzim Bashës gjatë kohës që ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, Greta Deljani sot rezulton administratore e Power & Gas Operations, një prej kompanive të shumta që përbëjnë kartelin e pastrimit të parave të Luis Hoxhës. Së bashku me Arian Carën, drejtojnë një rrjet kompanish që shtrihet nga Tirana në Durrës. Cara figuron ortak në VERTEX INVEST dhe FinTech Solution bashkë me Hoxhën. Përmendet si drejtues i një celule call centerash në Bllok, sipër lokalit “Cioccolati Italiani”.
Dhe jo vetëm kaq. Burime pranë grupeve hetimore konfirmojnë se roli i Greta Deljanit nuk është thjesht administrativ. Deljani dyshohet se është një hallkë kyçe në sistemimin e parave të pista dhe në mbulimin e gjurmëve të aktivitetit kriminal që shtrihet nga zyrat e Bllokut tek tenderat e Portit të Durrësit.
1 vit në arrati/ Kush është sh-zv kryeministri shqiptar që u arrestua në RMV
Në orët e para të mëngjesit të sotëm të datës 23 shkurt, saktësisht në 06:10, në pikëkalimin kufitar Bllacë, është paraqitur ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, i cili menjëherë është ndaluar nga autoritetet dhe është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme.Ky lajmi është konfirmuar nga televizioni Alsat.
Sipas informacioneve zyrtare, ndalimi i tij vjen në kuadër të një hetimi të gjerë që po zhvillohet lidhur me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të ligjit për prokurim publik. Rasti ka të bëjë me mënyrën e funksionimit dhe me kontratat e lidhura nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut, ku dyshohet se janë marrë vendime që kanë shkaktuar pasoja të rënda financiare.
Autoritetet e RMV pretendojnë se përmes procedurave të kontestuara të prokurimit janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, duke dëmtuar buxhetin e institucionit. Sipas përllogaritjeve fillestare, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 500 milionë denarë, që kap vlerën mbi 8 milionë euro. Hetimet janë fokusuar në disa kontrata dhe vendime specifike, për të cilat ekzistojnë dyshime se nuk janë respektuar standardet ligjore dhe parimet e transparencës.
Për më shumë, klikoni tek edicioni i orës 12.00
Lini një Përgjigje