Kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës, por për shkak të bllokimit të rrugës, ai do të udhëtojë me helikopter.
Segmenti rrugor në zonën Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, nuk u hap në mesditë siç ishte parashikuar, teksa prej ditësh rruga që lidh Tiranën me juglindjen e vendit është e bllokuar për shkak të shembjes në aksin Librazhd-Prrenjas.
Rruga dytësore e ndërtuar për të mundësuar kalim të përkohshëm pësoi fundosje dhe rrëshqitje toke.
Masa e dheut që lëvizi dëmtoi ndërhyrjen e realizuar gjatë ditëve të fundit. Autoritetet e konsiderojnë të pakalueshëm për një periudhë të pacaktuar këtë segment, i cili lidh disa zona të rëndësishme. Për shkak të rrezikut nga shembje të tjera, u larguan mjetet e firmës që po punonte në terren.
Strukturat përgjegjëse ndaluan edhe lëvizjen e këmbësorëve në këtë pjesë të rrugës.
Situata e krijuar në orët e fundit ka alarmuar strukturat shtetërore dhe qeverinë shqiptare, ndërsa pritet një rivlerësim urgjent i kushteve gjeologjike dhe i planit të ndërhyrjes.
Specialistët paralajmërojnë se terreni në këtë zonë mbetet tepër i paqëndrueshëm, çka e bën çdo ndërhyrje teknike të vështirë dhe me rrezik të lartë.
Bllokimi i këtij segmenti vijon të krijojë probleme serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në lidhjen mes zonave, duke shtuar presionin për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme infrastrukturore.
Rama në Korçë me helikopter
Sipas raportimit të mediave, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në qytetin e Korçës, por për shkak të bllokimit të rrugës, ai do të udhëtojë me helikopter.
Policia e Korçës është lajmëruar se kreu i qeverisë do zbresë me helikopter në 11:00 në Korçë, për inaugurimin e Polit të Dijes.
Nga kryeministria nuk ka njoftim në lidhje me takimin në fjalë, ndërsa mediat e Korçës kanë raportuar lajmin mbi vizitën në fjalë.
Ndërkohë ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga kryeministri dhe ministritë si do të vazhdojë kjo situatë, por vetëm bllokime dhe pezullime në kurriz të qytetarëve. Për përgjegjësit duhet të presim shumë më tepër.
Fajin e ka Saliu ! Do ishte mire te kishte rruge ne Fb e media, cna duhen rruget prej verteti, aty ecen katunaria !