TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shkurt 2026, 11:54

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:

Nis gjyqi, flet avokati i Thaçit: Haga nuk ka prova kundër ish presidentit të Kosovës

Ditën e sotme në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet një prej seancave më të rëndësishme në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata do të kenë në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar gjykatës me deklaratat e tyre përmbyllëse.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që Thaçi ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën. ZPS tha në kundërpërgjigjet e tyre të hënë se mbrojtja nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj si gjykatës”, tha ai.

“Mbrojtja e di që do të pranoni provat tona. ZPS është që nuk dëshiron të bënin punën tuaj, por të atyre. Duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin. Ata dështuan të gjenin prova”, tha Mishetiç.

Ministeriali i Tiranës për Korridorin VIII, Spiropali: Aset strategjik për sigurinë europiane

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi këtë të mërkurë se Korridori VIII përbën më shumë se një projekt infrastrukturor, duke e cilësuar atë një nevojë strategjike për rajonin.

Në hapje të sesionit qendror, ku marrin pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov, si dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Octavian Şerban, Spiropali theksoi dimensionin historik dhe gjeopolitik të projektit.

Sipas saj, koncepti i ndërlidhjes shkon përtej infrastrukturës fizike, pasi nënkupton zhvillim, qëndrueshmëri dhe siguri për vendet e përfshira. Ajo theksoi se projekti është në qendër të politikave kombëtare të transportit.

Spiropali u ndal edhe në aspektin e sigurisë, duke e cilësuar Korridorin VIII një aset me rëndësi për ndërveprueshmërinë brenda NATO-s dhe për arkitekturën e sigurisë në krahun jugor të Aleancës.

Në përmbyllje, ministrja theksoi se faza e ardhshme e projektit duhet të fokusohet në hapa konkretë dhe zbatim praktik, me synim shndërrimin e Korridorit VIII në një arterie plotësisht funksionale europiane.
Ministri italian flet nga Tirana: Ju jeni europianë, duhet ribashkimi me Europën

Në Tiranë ditën e sotme po zhvillohet Ministeriali i Korridorit VIII, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Në fjalën e tij, ai e cilësoi projektin si një vendim me peshë politike dhe pjesë të strategjisë italiane për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Tajani theksoi se Roma e konsideron Korridorin VIII jo vetëm si investim infrastrukturor, por si instrument për të forcuar lidhjet mes rajonit dhe Europës. Ai konfirmoi angazhimin e Italisë për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit.

Ai e vendosi theksin te termi “ribashkim”, duke sqaruar se sipas tij procesi i anëtarësimit nuk përbën zgjerim të BE-së, por rikthim të vendeve të rajonit në familjen europiane. Në përfundim, ai riafirmoi gatishmërinë e Italisë për të forcuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik në Ballkan.

Nisma për ndryshimin e Kodit të Procedurës/ Pse Edi Rama vendosi emrin e vet?

Vendosja e emrit të vet në nismën që PS dorëzoi në Kuvend për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale nga Edi Rama nuk është një simbolikë politike.

Krejt normalisht, nisma mund të ishte hartuar dhe propozuar nga një grup juristësh të grupit socialist, të cilët nuk janë pak, apo edhe nga emra që në lidhje me drejtësinë kanë punuar që në reformën e vitit 2016, si Fatmir Xhafa, për shembull, i cili në mbledhjen e grupit, kur u lexua dhe u shpall drafti, nxinte i tëri.

Edi Rama, me vendosjen e emrit të tij në krye të nismës, i rrethuar nga Ulsi Manja dhe Taulant Balla, ka dërguar një sinjal politik tek ata që e mbështesin SPAK, më shumë sesa tek prokurorët.

Ishte një lëvizje e koduar për të negociuar në distancë pikërisht me fuqinë që sot e mbështet më shumë SPAK dhe hetimet ndaj qeverisë, përkatësisht Gjermaninë, e cila dukshëm është partizane e depërtimit të hetimeve në zemër të qeverisë së Edi Ramës.

Ndryshimi në Kodin e Procedurës Penale është më shumë një flluskë sapuni sesa një zgjidhje reale ligjore për të ndaluar përdorimin e pezullimit nga ana e prokurorëve specialë.

Për më shumë, klikoni në linkun e edicionit të lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni informativ pamfleti

Lini një Përgjigje