Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rihapë procesin për Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Dritan Lamaj.
Vendimi është marrë më 17 shkurt dhe urdhëron rihapjen e çështjes në gjykatë, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të vitit 2018 të të njëjtës Gjykatë Kushtetuese.
Ky vendim sjell një zhvillim të ri në një çështje që ka tërhequr vëmendje publike, duke hapur mundësinë për rivlerësim të vendimeve të mëparshme dhe shqyrtim të rrethanave të çështjes sipas normave aktuale ligjore.
Aktulisht Frroku ndodhet në burg në Holandë.
Holanda e ka refuzuar ekstradimin e tij në Shqipëri, duke i dhënë të drejtë Arben Frroku, i cili pretendon se në procesin gjyqësor kundër tij është përfshirë edhe politika, ndërkohë që në vendin tonë i rrezikohet jeta.
Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e Frrokut për ta rihapur procesin në kushtetuese dhe për këtë shfuqizoi një vendim të mëhershëm të 2018 shpallur ndaj të dyshuarit nga e njëjta gjykatë.
Frroku kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr. 73, datë 29.06.2015 te ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Renda, nr. 443, ditë 08.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Po ashtu kishte kërkuar edhe kthim të çështjes për rigjykim pranë gjykatës kompetente duke urdhëruar rigjykimin e saj me tjetër trup gjykues.
Arben Frroku fillimisht mori pafajësi nga Gjykata e Krimeve të Rënda duke mos e njohur rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur mbi atentatin në derën e shtëpisë të komisarit Lamaj, i cili u ekzekutua barbarisht në shkurt 2013 pak ditë pasi e kishin transferuar nga detyra e shefit të komisariatit të Kombinatit në një specialist të thjeshtë.
Në Apel Frroku u dënua me burg të përjetshëm por ndërkohë ai ishte arratisur nga Shqipëria dhe u zbulua me identitet të rreme jashtë vendit. Ai ende nuk është ekstraduar.
Si përfundoi Arben Frroku larg duarve të drejtësisë shqiptare?
Ai mori fillimisht pafajësi për vrasjen e Dritan Lamaj në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Por teksa vendimi u apelua nga prokuroria, Arben Frroku u largua nga Shqipëria nëpërmjet Malit të Zi.
Apeli i Krimeve të Rënda e dënoi Arben Frrokut me burgim të përjetshëm duke e ribërë sërish njeriun më të kërkuar për vrasjen e kryepolicit. Prej atij momenti Arben Frroku qëndroi jashtë vendit deri sa u arrestua në Holandë me dokumente false greke
Fillimisht rekursi i Arben Frrokut në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk u pranua duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë.
Kërkesa për ekstradim ishte e dyta ndaj Frrokut ku më parë u miratua ajo drejtuar Greqisë ndërsa kërkesa drejtuar Holandës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, u refuzua.
Arben Frroku u bë i njohur edhe për foton me ish-zyrtarët e policisë njohur si tavolina “çiftelia” ku në të bënin pjesë asokohe ish drejtuesit e lartë të policisë së shtetit ndërsa pak javë më vonë Frroku do të prangosej për akuzën e rëndë të vrasjes e Lamajt.
Po ashtu, Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit, Mark Frroku, i liruar nga burgu në maj të vitit 2018 i dënuar për fshehje pasurie, pastrim parash dhe ndërtim pa leje. Mark Frroku u akuzua edhe për një vrasje në Belgjikë, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1999, por akuzat për këtë krim ranë për mungesë provash, ndërsa ish-deputeti deklaroi disa herë me radhë se ai nuk kishte gisht në këtë ngjarje.
Arben Frroku ndodhet në qeli në Holandë pas refuzimit të ekstradimit në Shqipëri, ku dënimi përjetë i dhënë nga Apeli në vendin tonë, do të konvertohet në burg sipas ligjit të tyre.
Lini një Përgjigje