Ndjekës të ‘Pamfleti’ ju ftojmë të klikoni në lajmet e mesditës, ku ndër të tjera do të ndiqni:
Moti i keq 'paralizon' Shqipërinë/ Anulohet mësimi në disa shkolla
Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka shkaktuar probleme në disa qytete, ku më e rëndë situata shfaqet në Durrës dhe në Lezhë.
Në Durrës, situata më problematike paraqitet në zonën rreth stadiumit, Spitallë dhe NISH Tulla, ku reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive. Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Durrësit është pezulluar procesi mësimor, ndërsa oborri i universitetit Aleksandër Moisiu është nën ‘pushtetin’ e ujit.
Në Lezhë, kanalizimet nëntokësore nuk e përballuan nivelin e lartë të prurjeve, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”. Situata më problematike u paraqit në blloqet e banimit "11 janari" dhe "11.2 hektarë", ku niveli i ujit arriti në disa centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve.
Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” dhe "Gjergj Fishta", ndërsa prurjet e shumta të Lumit Drin kanë përmbytur shtetëroren në lagjen "Skëndërbeg". Ndërsa në Vlorë, një mjet ra në kanal, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Drejtori i ri i UKT nuk qenka ‘pa gjë’: Flaures Shoshi, 'nyja' e aferës 20 mln €/ Pse e mbështet Edi Rama
Në reagimin e kryeministrit Edi Rama, pas 5 ditëve të mungesës së ujit në Vlorë, bëri përshtypje fakti që për sigurimin e tubit dhe rikthimin e furnizimit me ujë, ai falënderoi vetëm Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flaures Shoshi.
Duke ditur se çdo lëvizje dhe mesazh i Edi Ramës mbron ose fsheh një interes të tij, i tillë ishte edhe falënderimi për drejtorin Shoshi, por nuk mund të mbulohet me “shoshë” qëllimi i vërtetë i këtij falënderimi, i cili lidhet me një aferë miliona euro të bërë prej tyre.
Me urdhër të Edi Ramës, drejtori Flaures Shoshi, kur ishte zëvendësdrejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve në vitin 2019, i katapultuar enkas nga Ujësjellësi i Malësisë së Madhe, firmosi fondin 15 milionë euro dhe zhvillimin pa garë të procedurës për landfillin “Eco-Park” në Porto Romano, Durrës.
Kini kujdes nëse keni shkaktuar dëme me makinën tuaj: Sigurimi i makinës. Çmimi rritet për ata që kanë shkaktuar dëme
Që nga fillimi i këtij viti, ka hyrë në fuqi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta (TPL).
Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme gjatë vitit paraardhës do të paguajnë prime më të larta sigurimi, ndërsa ata që nuk kanë shkaktuar dëme do të paguajnë prime më të ulëta.
Sipas llogaritjeve të kryera me aplikacionet automatike që ofrohen nga kompanitë e sigurimit në faqet e tyre të internetit, malusi apo penalizimi për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme do të jetë ndjeshëm më i lartë se bonusi për ata drejtues mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme.
Një lajm i rëndësishëm vjen nga Kosova: Agjencia Kundër-Korrupsionit vihet në Lëvizje Nis hetimi pasuror ndaj presidentes Osmani
Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo pasi Agjencia ka gjetur dallime të theksuara në deklarimin e saj të pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.
Burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar se procedura ka nisur pasi janë vërejtur dallime në sasinë e pasurisë që presidentja kishte deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë për zyrtarët publikë.
Ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.
Në dokumentet e dorëzuara për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka nxitur institucionin përgjegjës të ndërmarrë verifikime shtesë, ashtu siç parashihet me ligj.
Për këto dhe të tjera, ndiqni edicionin e orës 12.00
Lini një Përgjigje