
Një situatë alarmante ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Çizmeli të Shijakut, ku mbeturinat e grumbulluara në një zonë të hapur janë djegur në mënyrë të qëllimshme gjatë natës.
Sipas një denoncimi për mediat, banorët e zonës shprehen se kjo praktikë e rrezikshme është kthyer në rutinë, duke krijuar një ndotje të madhe të ajrit dhe duke vendosur në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar kryebashkiaku Elton Arbana, i cili akuzon opozitën për zjarrin.
“Në fshatin Çizmeli në njësinë administrative Gjepalaj disa dashakeqës i kanë venë flakën zonës përreth me qëllime dashakeqëse. Falënderoj grupin e emergjencave civile të bashkisë, MZSH Shijak dhe Durrës, sektorin e shërbimeve vullnetarë të zonës që gjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit kanë qenë në gatishmëri për neutralizimin e zjarrit. Ne kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional , inkurajoj policinë e shtetit që të bëj identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para ligjit.
Autorë të tillë nuk meritojnë të jenë shijakas, as të merren me politikë, as të jenë familjarë por qenie të neveritshme që s’meritojnë as respektin më te vogël. Të merresh me politikë në këndvështrimin tim është shumë më lart se sa ti vesh flakën vendit. Prandaj qytetarët ju kanë ndëshkuar sa herë ju është dhënë mundësia, e fundit 11 maj. Zoti ju mëshiroftë në llojin tuaj”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje