Ja misionet ndërkombëtare që po asistojnë SPAK...
Ndërkombëtarët janë duke dhënë një rol mjaft të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Tërheqja e përkohshme e ekspertëve të SHBA krijoi pasiguri dhe vështirësi në Prokurorinë e Posaçme dhe organet e tjera ligjzbatuese. Por kjo gjë zgjati më pak se 2 muaj. Ekspertët u rikthyen dhe puna vijon pa probleme.
Por çfarë roli kanë ata në SPAK? Prokuroria e Posaçme, në raportin vjetor të vitit 2024 i ka kushtuar një kapitull asistencës ndërkombëtare ku njofton se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare. Aty tregohet ndihma që po japin dy misionet amerikane OPDAT dhe ICITAP, por dhe Bashkimi Europian dhe shtetet e tjera aleate. Sipas raportit, BE ka një rol mjaft të rëndësishëm në SPAK.
“Edhe gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme, ka vazhduar të asistohet në punën e saj nga programe të mbështetura SH.B.A., të cilat synojnë përmirësimin e drejtësisë kriminale të Shqipërisë dhe sektorin e zbatimit të ligjit — Programi Tejoqeanik i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT) dhe Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP), përfaqësues të së cilave janë të vendosur dhe fizikisht në ambientet e kësaj prokurorie”, njofton SPAK.
Pjesë nga raporti i SPAK
-Misioni OPDAT është përfshirë në rishikimin e legjislacionit të drejtësisë kriminale, trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve, oficerëve të policisë, në dhënien e pajisjeve për zbatuesit e ligjit dhe dhënia e ndihmës teknike që synon vendosjen e strukturave më efektive të zbatimit të ligjit. Ky misioni me anë të Këshilltarëve Ligjor të Përhershëm, gjatë periudhës, që nga krijimi e në vazhdim, ka ofruar ekspertizë dhe asistencë të bazuar në çështje konkrete për prokurorët në veçanti, por edhe më gjerë në sistemin e drejtësisë dhe në ndihmën për marrëdhëniet e kësaj prokurorie ndërkombëtarisht, me synimin për ta ndihmuar në luftën e saj kundër krimit ndërkombëtar, korrupsionit dhe terrorizmit.
-Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimet për Hetimet Kriminale ICITAP, është një program, i cila ka si synim zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të zbatimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. ICITAP edhe gjatë vitit 2024, ka mbështetur Byronë Kombëtare të Hetimit duke organizuar një sërë trajnimesh të specializuara për përmirësimin e kapaciteteve hetimore, si dhe ka mbështetur të gjithë strukturën e Prokurorisë së Posaçme, me mjete logjistike, pajisje elektronike Softëare, sisteme informatike etj.
-Projekti EU4FOCAL, i financuar nga Bashkimi Europian, në kuadër të programi të asistencës IPA 2020, “Lufta kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri nëpërmjet Hetimit Penal dhe atij Financiar”, vijon të mbështesë SPAK edhe për vitin 2024. Ky projekt është përfshirë në draftimin e një manuali, me qëllim azhurnimin e të dhënave përsa i përket pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve me prejardhje kriminale. Për realizimin e këtij objektivi është krijuar një grup pune me prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK, si dhe ekspertë të huaj, të cilët kanë kryer një sërë aktivitetesh të ndryshme.
-Projekti EU4LEA është një projekt asistencë teknike i financuar nga BE me një mundësi për të ofruar pajisje, i projektuar për të mbështetur dhe ndihmuar agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit shqiptar në veçanti Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë e Posaçme dhe BKH, Prokurorinë e Përgjithshme, përfshirë ato të Juridiksionit të Përgjithshëm, në arritjen e objektivave të tyre dhe përafrimin e performancës së tyre me standardet më të mira të BE-së. Objektivi i përgjithshëm i projektit EU4LEA është të kontribuojë në fuqizimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Objektivat specifike të projektit EU4LEA janë:
1. Përmirësimi i performancës të Policisë së Shtetit Shqiptar (PSHSH), SPAK-ut, Prokurorisë të Përgjithshme dhe agjencive përkatëse në luftën kundër krimit të organizuar/krimit të rëndë, korrupsionit në nivele të larta dhe krimit mjedisor.
2 Përmirësimi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit Kombëtar.
Për të përmbushur objektivat e përcaktuara, fokusi i projektit ka qenë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor. Projekti ka hartuar dhe zbatuar trajnime të përshtatura, duke përfshirë trajnimin në punë dhe asistencën për zhvillimin e kapaciteteve, me objektiv forcimin e bashkëpunimit ndërmjet policisë, prokurorëve, qeverive vendore dhe palëve të tjera të interesuara.
Gjithashtu, janë kryer lloje të ndryshme aktivitetesh, mbështetje këshillimore si teknike dhe strategjike, vlerësime/analiza ligjore, përmbledhje e acquis-it përkatëse të BE-së, gamë e gjerë trajnimesh/seminaresh, ushtrime praktike simuluese në nivel qendror dhe vendor, vizita studimore në agjencitë e BE-së /vendeve anëtare të BE-së, rishikim/monitorim i rasteve penale, vizita në terren, etj.
-Projekti EU4FAST (Mbështetje për Parandalimin dhe Luftimin e Kontrabandës së Emigrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkanin Perëndimor).
Qëllim i këtij projekti është përmirësimi i kushteve për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor.
Ky projekt synon të forcojë aftësinë e autoriteteve ligj zbatuese dhe gjyqësore të Ballkanit Perëndimor për të luftuar kontrabandën e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, aftësinë e aktorëve të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar me Shtetet Anëtare, dhe aktorët e zbatimit të ligjit jo anëtarë në BE në aktivitetet, që lidhen me kontrabandën e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, të forcojë kapacitetin e autoriteteve kufitare të Ballkanit Perëndimor për të parandaluar dhe luftuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore në përputhje me standardet e BE-së dhe të drejtat e njeriut.
-Projekti WBCJ Western Balkan Criminal Justice (Drejtësia Penale e Ballkanit Perëndimor)
Eurojust për dy dekadat e fundit ka ofruar mbështetje dhe ndihmë operacionale për shtetet anëtare të BE-së, me fokus të veçantë në lehtësimin e bashkëpunimit gjyqësor. Projekti i Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor (WBCJ) u zhvillua për të shtrirë këtë mbështetje operacionale për partnerët e Ballkanit Perëndimor, edhe në rastet kur asnjë vend i BE-së nuk është i përfshirë drejtpërdrejt.
Qëllimi i Projektit WBCJ është të forcojë bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe Bashkimit Evropian në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke përdorur mjete dhe instrumente moderne. Pajisja e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me mjetet dhe metodat e punës të bashkëpunimit gjyqësor të BE-së - si takimet e koordinimit, qendrat koordinuese dhe Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (SPH) - është thelbësore për rezultatin e suksesshëm të hetimeve ndërkufitare.
Projekti jep mbështetje dhe asistencën lidhur me ekspertizat dhe praktikat më të mira nga Eurojust dhe vendet anëtare të BE-së për mënyrën e përdorimit të mjeteve dhe instrumenteve për bashkëpunim gjyqësor, financim direkt për takimet operative (takime koordinuese, qendra koordinuese) dhe aktivitete hetimore ndërmjet partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si brenda ashtu edhe jashtë SPH, siguron pajisje moderne, si telefona celularë dhe laptop të sigurte, si dhe shërbime përkthimi.
Projekti Hollandez MATRA “Strengthening the SPO” (forcimi i Prokurorisë së Posaçme), ka si synim kryesor dhënien e rekomandimeve për forcimin e Prokurorisë së Posaçme në aspekte të ndryshme të organizimit të saj dhe funksioneve mbështetëse më të mira, rritjen e uniformitetit të proceseve të punës duke u fokusuar kryesisht në lehtësimin e punës së prokurorëve, nëpërmjet aktivizimit më efektiv të stafit administrativ, hetuesve dhe ndihmësve ligjorë. Në kuadër të së cilit është zhvilluar edhe një vizitë studimore me qëllim shkëmbimin e eksperiencave lidhur me funksionimin e prokurorive homologe dhe agjencive ligj zbatuese në Hollandë, duke sugjeruar gjithashtu edhe për ndryshime apo nisma të reja strukturore dhe ligjore për arritjen e këtij qëllimi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje