
Dy efektivë policie në Rinas janë pezulluar nga detyra. Ishte emisioni ‘Fiks Fare’ që tregoi se si ata merrnin para dhe policia ka reaguar duke njoftuar se ata janë pezulluar.
“Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku dy punonjës të Policisë Kufitare, në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, dyshohen se janë përfshirë në veprime korruptive, ju bëjmë me dije se:
Drejtoria e Standardeve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të nenit 163, pika 3 germa a dhe pika 8 e Rregullores së Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor K. K., me detyrë ndihmës specialist kontrollor, dhe Inspektor E. L., me detyrë ndihmës specialist kontrollor, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera për ketë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësve të Policisë të përfshirë në këtë rast”, tha policia.
Më datë 23 shtator u transmetua investigimi sesi një punonjës i policisë, i quajtur Briken Tereziu, u rikthye në detyrë megjithëse ishte arrestuar, hetuar dhe po gjykohej për dhjetëra raste abuzimi me detyrën.
Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës u faktua se Tereziu dhe disa kolegë të tij, kishin kaluar plot 65 persona, madje edhe të mitur pa prokurën e njërit prind, kundrejt ryshfetit. Megjithëse çështja është në gjykatë dhe Briken Tereziu akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ai çuditërisht është kthyer në punë.
Ndërkohë, pas publikimit të këtij rasti, në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën informacione se edhe të tjerë punonjës bënin të njëjtin aktivitet. Një bashkëpunëtor i Fiks Fare takoi një tjetër punonjës, i cili i prezantohet si Kevin Kosova.
Takimi i parë zhvillohet në një lokal në Tiranë, teksa bashkëpunëtori i Fiksi i thotë se duhet të lëvizë. Kevini i bën foto pasaportës dhe e orienton që të presë biletën. Ai merr në telefon një tjetër person, duke i thënë se “o daj ma shih pak këtë që të çova”. Bashkëpunëtori i bën me dije se ka probleme vetëm me afatet, ndërkohë që punonjësi i thotë se “mos e vra mendjen për afatet”.
Nga biseda del se polici dhe bashkëpunëtori i Fiksit janë takuar edhe herë të tjera, në Rinas, në një tjetër episod të dyshimtë. “Unë sa theva eurot dhe më tha një çun se fol njëherë me këta (policët)” i thotë bashkëpunëtori për herën që janë takuar.
Në fund të takimit të parë, bashkëpunëtori i thotë policit se ka edhe një shok që ka 10 vite ekspuls. “Brenda 3 vitesh i kanë thënë të mos dalë as nga Shqipëria” i thotë ai, ndërkohë që polici i thotë “të më çojë pasaportën me foto se e rregullojmë, po ta shohim njëherë ça ka”. Bashkëpunëtori i thotë se do të ta çoj, por ai është me ekspuls me gjykatë. “S’është ndonjë gjë, e rregullojmë” i përgjigjet.
Takimi i dytë zhvillohet sërish në të njëjtin ambient, në qytetin e Tiranës. Bashkëpunëtori i thotë se nesër do të lëvizë dhe e pyet se çfarë turni është. Polici i përgjigjet se është turni i tretë dhe ai vetë do të niset në orën 5 pasdite. Polici i thotë se do të ta çoj që ai të mos ngatërrohet.
Bashkëpunëtori i thotë se sot s’ka shumë (para), teksa i nxjerr 100 mijë lekë të vjetra dhe e pyet a janë boll? Polici i përgjigjet se “boll janë”. Ai e pyet disa herë nëse janë mjaftueshëm, dhe ai i përgjigjet se po!
Më pas, polici i tregon një foto me numrat e sporteleve, 1, 2, 3, 4, 5 … “Unë do të lë te 1-shi që ta kesh kollaj. Do të ta çoj me foto prapë dhe do të të them edhe emrin e personit që do të kërkosh” i thotë polici. Bashkëpunëtori e pyet sërish, teksa ai i përgjigjet se “do të ta çoj me foto prapë, do të të them tako filanin. Ti shko aty dhe i thua dua Eraldin, dua … filanin”. Bashkëpunëtori i përgjigjet se mos i qesin punë, ndërkohë që ai i thotë se jo.
Më pas, bashkëpunëtori i Fiks Fare i thotë për atë shokun me 10 vite ekspuls, ndërkohë që polici i përgjigjet se më sill pasaportën se e rregullojmë. Ai i thotë se nesër do të ikë dhe e pyet si e quanin policin. “Do ta them unë, ik” i përgjigjet.
Të nesërmen bashkëpunëtori shkon në Rinas, ndërkohë bisedon me policin në rrjetin social ëhatsapp. Polici i dërgon fillimisht një foto. Te fotoja ai i bën skicën e sporteleve dhe i thotë se “te numri 6 (sporteli) do të takojë Amarildon”. Më pas bashkëpunëtori i thotë se orari është në 19.40, ndërkohë që polici i shkruan se “tani ndërrohet turni, do ta çoj prapë atë”. Më vonë i shkruan “po te ai sportel, tek 6 dmth, kërko Edin”.
Qytetari paraqitet te sportelet e Policisë në Aeroportin e Rinasit dhe numëron sportelet. Te sporteli numër 6 takon Edin, i cili po fliste në telefon dhe çuditërisht s’kishte radhë si të tjerët. Pas disa sekondash, ai kalon pa probleme policinë, hipën në avion dhe mbërrin në destinacion.
Lini një Përgjigje