
Ish kryeministri, Sali Berisha nga dritarja e banesës ku ai po vuan masën arrest shtëpie, akuzoi kryeministrin, Edi Rama për lidhjet e tij me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Berisha deklaroi se Puseta e akteve kriminale të grupit Rama-McGonigal nuk ka të sosur, teksa shtoi se Ministria e Drejtësisë së SHBA ua bëri të qartë shqiptarëve se kryeministri është i korruptuar.
Ish kryeministri tha se një gjë e tillë s’mund të durohet, ndaj kërkoi nga qytetarët që të ngrihen në protesta dhe t’i caktojmë datën e arrestit Ramës.
“Të gjitha këto krime në seri, Edi Rama i bën sepse do të mbrojë me çdo krim pushtetin e tij. Ky akt është një thirrje e madhe për çdo shqiptar që të ngrihemi për përmbysjen e këtij regjimi. Sot përsëri, mediat serioze të botës ridimensiononin skandalin e shekullit Rama-McGonigal.
Sot mediat e mëdha paralajmëronin lidhjet e Ramës, Duçkës me kompanitë e Deripaskës, me kompanitë e shërbimeve ruse. Puseta e akteve kriminale të grupit Rama-McGonigal nuk ka të sosur. Prapë dua të theksoj, Departamenti i Drejtësisë në SHBA e bëri punën e vet. U tha shqiptarëve se kryeministri juaj është i korruptuar, është kriminal. Ka kryer veprën kriminale të korruptimit të kryezbuluesit kryesor të SHBA. Ministria e Drejtësisë së SHBA u tha shqiptarëve se kryeministri që keni ju është i korruptuar sepse ka ndryshuar licenca, ka heqë dhe vënë licenca nafte për të pasuruar bashkëpunëtorët e tij dhe veten. Sot ka vetëm një pyetje për çdo shqiptar, si mund të tolerojmë ne më tej kryeministër Edi Ramën?
Si mund të pranojmë ne më tej një kryeministër të denoncuar nga drejtësia e vendit kryesor të botës? Si mundet të qëndrojmë ne indiferent ndaj këtij akti monstruoz të Edi Ramës? Askush nuk ka të drejtë të thotë se bota nuk po na ndihmon. A ka ndihmë më të madhe për një njeri të përgjegjshëm sesa t’i tregohet e vërteta në sy se kryeministri i tij është një hajdut, një individ i korruptuar, i pabesë dhe i pamoral, që nuk njeh miqësi, nuk njeh asgjë përveç karriges së tij. Të dashur miq, heshtja ndaj këtij akti që tejkalon imagjinatën, ndaj skandalit të shekullit është e pafalshme. Ndaj duhet të ngrihemi, t’i caktojmë datën e arrestit kriminelit, hajdutit, armikut Edi Rama”, tha ai.
Lini një Përgjigje