
Arrestimet e politikanëve janë më të debatueshme. Berisha pretendon se Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un "kamxhiku i tij". Por numri në rritje i bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës të akuzuar për korrupsion po dëmton gjithashtu imazhin e tij.
Në Tiranën e viteve 1930, siç shkruan akademikja shqiptare Lea Ypi në librin e saj të ardhshëm, njerëzit debatonin nëse korrupsioni ishte "shkaku i mjerimit shqiptar apo më tepër pasojë e natyrshme e tij". Të njëjtin debat mund ta dëgjosh edhe sot në kryeqytetin shqiptar. Por një gjë ka ndryshuar: për herë të parë në një shekull shtetësi, një strukturë e pavarur antikorrupsion po arreston politikanë, zyrtarë dhe trafikantë droge, pa dukur se ka frikë apo preferenca.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi punën në vitin 2019. Sondazhet tregojnë se 76% e shqiptarëve i besojnë asaj, duke e bërë institucionin më të besuar në vend. Gjithnjë e më shumë figura të elitës politike shqiptare, përfshirë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, po bien në rrjetën e saj. Kryeministri Edi Rama nuk është më aq entuziast sa ishte dikur, kur SPAK arrestonte kryesisht kundërshtarët e tij.
Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpie Sali Berishën, ish-president dhe aktualisht lider i opozitës. Ai është në gjyq për korrupsion. Vitin e kaluar u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president dhe tani udhëheqës opozitar. Edhe ai është i akuzuar për korrupsion. Ish-ministra të qeverive të Ramës janë arrestuar gjithashtu, dhe në shkurt erdhi radha e Erion Veliajt, kryetarit socialist të Bashkisë së Tiranës, i konsideruar si pasardhës i mundshëm i Ramës. Të tre mohojnë akuzat.
Në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK ka shënuar suksese të mëdha në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare. Një bos droge shqiptar operon zakonisht nga Dubai. Blerësit e tij në Ekuador dërgojnë ngarkesat në Evropë, ku rrjeti i tij i shpërndan. Fitimet i investon në ndërtim në Shqipëri, ndërsa bashkëpunëtorët blejnë apartamente. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri të disa personave të dyshuar për pastrim parash nga Zvicra dhe akuzoi një grup tjetër për përpjekje për trafik armësh drejt Britanisë.
Arrestimet e politikanëve janë më të debatueshme. Berisha pretendon se Rama po e persekuton dhe e quan SPAK-un "kamxhiku i tij". Por numri në rritje i bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës të akuzuar për korrupsion po dëmton gjithashtu imazhin e tij. Kur u arrestua Veliaj, ishte radha e kryeministrit të akuzonte SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo solli qortime nga Bashkimi Evropian; një diplomat i një vendi anëtar e quajti deklaratën e Ramës “marrëzi”. Rama u tërhoq shpejt nga sulmet.
Rama ka premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri më 2030. Rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë kriter kyç, dhe disa shtete anëtare vlerësojnë lart bashkëpunimin e SPAK-ut në goditjen e grupeve kriminale. Sado që Rama mund të dëshironte të mbronte Veliajn, ai kuptoi se sulmi ndaj SPAK-ut ishte politikisht i dëmshëm. Një burim nga drejtësia shprehet shkurt: “Po të ishin të kënaqur politikanët me punën e SPAK-ut, atëherë do të kishim problem.”
Gjashtë muaj pas arrestimit, Veliaj mbetet në burg; ai u akuzua zyrtarisht vetëm më 23 korrik. Kjo është diçka e zakonshme në Shqipëri, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim, një përqindje shumë më e lartë se në pjesën tjetër të Evropës. Bashkë me Veliajn u akuzua edhe një deputet i Partisë Socialiste për ndikim ndaj dëshmitarëve. Më 15 korrik, SPAK akuzoi edhe një ish-deputet tjetër socialist për ndarjen e informacionit policor me një bos krimi në këmbim të mbështetjes gjatë zgjedhjeve. Veliaj, bashkëshortja e tij dhe të dy deputetët mohojnë akuzat e SPAK-ut.
Arbi Veliaj, vëllai i kryetarit të bashkisë, thotë se SPAK “ka dalë jashtë kontrollit” dhe se po e mban në burg pa prova të qëndrueshme. Arrestimi i tij ka ndarë opinionin publik të Tiranës. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin, ish-policinë sekrete të kohës së komunizmit. Të tjerë e mirëpresin rënien e të fuqishmëve që, sipas tyre, kanë vjedhur për vite me radhë nga populli i zakonshëm. Burimi nga drejtësia thotë se themelimi i SPAK-ut kishte një qëllim: të përfundonte “kulturën e pandëshkueshmërisë” në vend. Nëse kjo ndodh, do të ishte ngjarja e shekullit për Shqipërinë./Përshtati "Pamfleti" nga "The Economist"
Lini një Përgjigje