
AMP ka nisur një hetim për policin 23-vjeçar Dhurim Metkon. Hetimet po kryhen për kallëzim të rreme dhe po ashtu po i verifikohet rekrutimi në polici, rezultati i punës si dhe lidhjet e tij.
Ky hetim po realizohet pasi ditën e sotme fillimisht u raportua se kishte të shtëna me armë zjarri në qytetin e Laçit, ku ishte përfshirë efektivi Metko.
Në fakt rezulton të jetë një denoncim nga një punonjës policie i bërë mbrëmjen e djeshme në komisariat se gjatë natës dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë dalë përpara dhe se ata kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Ngjarja ka ndodhur në Sanxhak, ndërsa dy janë pistat për të cilat po hetohet ngjarja.
E para pistë, lidhet me dëshminë e punonjësit të policisë dhe e dyta, dyshohet për një inskenim të ngjarjes nga ana e efektivit.
Në dëshminë e tij, punonjësi i policisë thotë se ka qenë të maskuar dhe se nuk ka arritur t’i njohë.
Ndërkohë, në një reagim zyrtar, uniformat blu bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes, grupi hetimor nuk ka gjetur asnjë provë.
Sipas efektivëve, në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë. Më tej, efektivët shtojnë se ka dëmtime vetëm të automjetit të 23-vjeçarit, i cili ka qëlluar me armë nga brenda.
Lini një Përgjigje