
Departamenti Amerikan i Shtetit ka nxjerrë raportin për vitin 2024 mbi të drejtat e njeriut, ku përfshihet edhe Shqipëria. Për vendin tonë, raporti vëren se gjatë vitit nuk ka pasur ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut. Sipas raportit, qeveria ka ndërmarrë veprime të besueshme për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Por, në seksionin për arrestimet dhe paraburgimin, theksohet se ky i fundit aplikohet në mënyrë të zgjatur dhe pa akuza. Raporti evidenton se Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshim Social kanë raportuar se zgjatja e periudhës së paraburgimit mbetet një çështje e vazhdueshme.
“Ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij në gjykatë. Qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa. Ligji kërkon që shumica e hetimeve paraprake të përfundojnë brenda tre muajsh, por prokurori ka të drejtë të zgjasë këtë periudhë. Paraburgimi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre vjet. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), nuk është raportuar asnjë rast ku personat të jenë mbajtur përtej afateve të parashikuara me ligj.
Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas DPB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, thuhet në raport.
Sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti i DASH shprehet: Qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar. UNHCR, nëpërmjet partnerit të saj, Shërbimeve Shqiptare për Refugjatët dhe Migrantët, monitoroi intervistat personale me azilkërkuesit gjatë procesit të përcaktimit të statusit të refugjatit dhe mbështeti integrimin e tyre.
Lini një Përgjigje