TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Gusht 2025, 22:19

Zjarret në vend, banorët rrëfejnë orët e tmerrit: Po ikim me kokën pas se po na digjen shtëpitë!

Shkruar nga Pamfleti

Zjarret në vend, banorët rrëfejnë orët e tmerrit: Po

Me lot në sy dhe me kokën pas, banorët e fshatrave të Gramshit vijojnë të largohen nga banesat e tyre. Në disa fshatra të njësisë administrative “Skënderbegas”, zjarri ende u rrezikon jetën ndaj autoritetet u kanë kërkuar të lënë gjithçka e të largohen.

Rreth 100 banorë në Nartë u evakuuan paraditen e sotme, pasi zjarri masiv që përfshiu fshatin vijon të jetë aktiv. Ata u larguan duke marrë me vete edhe gjënë e gjallë.

Ky banor i këtij fshati po largohet me zemër të thyer, pasi banesa dhe pemëtaria ku ka derdhur gjithë mundin e jetës rrezikon t’i digjet.

“Kam tre shtëpi, kemi edhe gjë të gjallë, i kemi nxjerrë”, shprehet një prej banorëve, teksa përpiqet me lopatë që të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.

Për të shuar zjarret, nga ajri ndërhynë 3 helikopterë. Edhe forcat zjarrfikëse vijojnë përballjen me vatrat e shpërndara kudo.

Por edhe vetë banorët janë vënë në ballë të betejës me flakët. Këta janë dy banorë të zonës që me mjetin e tyre transportojnë ujë duke u ardhur në ndihmë zjarrfikëseve.

“Mbushim zjarrfikëset me ujë që të jenë sa më afër te zjarret. Deri tani kemi bërë tre rrugë, jemi edhe vetë këtu në aksion. E vështirë duket situata për banorët, zjarri dhe era”, tregojnë për "Report tv" dy banorët, që i gjenden vullnetarisht forcave zjarrfikëse në aksion.

Në Skendërbegas nuk humbën vetëm shtëpitë. Të tjerë, me lot në sy, flasin për humbjen e rrënjëve të ullinjve dhe vreshtave.

“Vreshta dhe ullishta... në fund të gjitha”, thotë për "Report TV", një prej banorëve, i prekur rëndë nga zjarri.

Edhe aty ku flakët janë shuar, dëmet janë të mëdha, siç pamjet me dron tregojnë.

Në total janë 39 banesa të djegura në 6 fshatra, pa llogaritur dëmet në ullishte, pemëtari, e bagëti. Një inventar po bëhet nga ekipet e ministrisë mbi këto humbje.

Në Gramsh, një ditë më parë, u shënua edhe viktima e parë e zjarreve që kanë pushtuar vendin, një 80 vjeçar që humbi jetën nga asfiksia e zjarrit që ndezi vetë, flakët e të cilëve më pas morën përmasa të mëdha duke përfshirë disa fshatra.

Lini një Përgjigje