
Gazetari Ferdinand Dervishi për takimet e të Ngarkuarës me Punë të SHBA Nancy VanHorn me ministrat e rinj, deklaron se fokusi është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai deklaroi se në takimin me ministren e Brendshme Albana Koçiu, i është kërkuar të çmontohen rrjetat e paligjshme financiare, të pastrimit të parave dhe paratë e infiltruara në kulla.
Sipas tij, SHBA i kërkon kabinetit të ri qeveritar, që në fokus të parë të kenë pastrimin e parave dhe së dyti goditjen e grupimit kriminal të trafikut të drogave.
“Nuk është vetëm takimi me ministrin e Drejtësisë, ministren e Brendshme dhe Mirela Bogdanin e KLP.
Me Bogdanin takimi është për kreun e ri të SPAK, dhe kërkesa është të mos cenohet procesi, por të jetë një proces me integritet, ta meritojë ai që i takon. Jo siç vuri veton Yuri Kim për Altin Dumanin, i cili pati një performancë shumë më të mirë se paraardhësi. Besoj që këtu shkon që të mos futet një person i komanduar nga politika dhe krimit të organizuar.
Lamallarit i është kërkuar koordinim i efektshëm i drejtësisë penale, i goditjes së krimit të organizuar sidomos të bandave të drogës dhe grupeve të krimit të organizuar që merren me aktivitetin e narkotikëve.
Në takimin me ministren e Brendshme Albana Koçiu, i është kërkuar të çmontohen rrjetat e paligjshme financiare, të pastrimit të parave. Pastrimi i parave janë kullat që miratohen nga Kryeministri, duket sikur vetëm me kullat merret, nuk bën as mbledhje qeverie.
Ai merret vetëm me pronat, këtu duket fokusi. Nga vijnë këto lekë që po ndërtohen, a i kanë lekë të pastra?
SHBA së pari kabinetit të ri, ose ministrave të linjës po ju thonë, të kenë në plan të parë pastrimin e parave, të dytë goditjen e grupit kriminal të trafikut të drogave, këto po synohen”, tha ai.
Lini një Përgjigje