
Si shkak i stuhisë 3 persona kanë mbetur të plagosur nga thyerja e xhamave...
Mbrëmjen e djeshme pjesa më e madhe e vendit u përfshi nga moti i keq. Shira të dendur dhe erëra të forta kanë shkaktuar dëme në disa qytet, pas disa ditësh të karakterizuara nga temperatura të larta.
Saranda është qyteti më i goditur nga stuhia e mbrëmshme pasi gjatë natës është raportuar për pemë të rrëzuara. Si shkak i rrëzimit të pemëve janë bllokuar rrugët si dhe janë dëmtuar disa makina të parkuara.
Gjithashtu mësohet se si shkak i stuhisë 3 persona kanë mbetur të plagosur nga thyerja e xhamave në qytetin e Sarandës. Ata janë paraqitur në spital ku dhe kanë marrë ndihmën e e nevojshme mjekësore.
Edhe Vlora u përfshi mbrëmë nga reshje intensive shiu, erëra të forta dhe shkarkesa elektrike. Ndërkohë një punonjës i OSHEE në Himarë ka ndërruar jetë ndërsa ishte në punë për rikthimin e energjisë pas stuhisë. Elektricisti 54-vjeçar Bashkim Boçi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike teksa punonte rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Në qarkun e Kukësit, erërat e forta shkaktuan probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, kryesisht në Bashkinë Has. Sipas OSHEE Kukës, fshati Nikoliq dhe Njësia Administrative Fajzë mbetën pa energji elektrike, pasi një lis u rrëzua mbi linjën e tensionit të mesëm, ndërsa në disa zona u dëmtuan edhe shtylla të transmetimit.
Meteorologët kishin paralajmëruar më herët se një sistem i fuqishëm stuhish do të përfshinte Ballkanin Perëndimor. Sipas parashikimeve, zonat më të rrezikuara ishin jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa Shqipëria ishte përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, ku priteshin reshje të dendura, erëra të forta, shkarkesa elektrike dhe, në zona të veçanta, edhe breshër.
Lini një Përgjigje