
Studentët e mjekësisë po vijojnë sërish protestën e tyre kundër ligjit që i detyrojnë të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Ata kanë bojkotuar vitin e ri akademik, që në nisje të tij.
Të veshur me uniformat e bardha, me pankarta me thirrjet kundër vendimit që i detyron të punojnë për 5 vite pas përfundimit të universitetit, studentët e Mjekësisë janë mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit dhe kanë hedhur drejt saj letra higjenike.
“Zonja ministre nuk ka dhënë dorëheqjen akoma. Turp, turp turp! Ministri e turpit”, thonë studentët njëzëri, ndërsa kanë vendosur pankarta si ‘Ne nuk po i marrim leksionet tona, për t’ju mësuar ju një’ apo ‘Në vendin tim në vendin tënd, një ligj i çmendur të gjithë i çmend’.
Gjithashtu ata nuk pranojnë tarifën e studimit 240 mijë lekë, e cila u miratua dy ditë më parë nga bordi i administrimit. Çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3-deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.
Protesta e studentëve të mjekësisë është zhvendosur paraditen e sotme përballë ministrisë së Arsimit, ku kanë filluar të gjuajnë drejt saj edhe me vezë. Në këtë proteste janë të pranishme forca të shumta policore dhe qarkullimi i automjeteve në këtë zonë të kryeqytetit është bllokuar.
Lini një Përgjigje