
Agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle fizike në ambientet e vilave brenda kompleksit dhe kanë sekuestruar disa materiale dhe pajisje...
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ushtruar kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit.
Sipas burimeve paraprake, kontrollet janë përqendruar në disa prona që lidhen me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Më konkretisht, bëhet me dije se janë kontrolluar dy vila të Agasit dhe një vilë e Beqirit në jug të vendit.
Prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle fizike në ambientet e vilave brenda kompleksit dhe kanë sekuestruar disa materiale dhe pajisje. Kontrollet mësohet se kanë të bëjnë me skandalin e AKSHI-it.
Vlen të theksohet se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë dhe pjesëmarrjes në grup kriminal. Sipas hetimeve të SPAK, ata dyshohen se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe dhe e kanë detyruar të tërhiqte ankesat e tij lidhur me tenderat e AKSHI-t.
Në këtë dosje, nën masën e “arrestit në shtëpi” ndodhen ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, ndërsa ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie janë vendosur masa më të lehta sigurie.
Kujtojmë se më herët në fillim të muajit mars, SPAK mori në dorë dosjen që lidhet me zhdukjen e një sasie vere të shtrenjtë të sekuestruar në një resort në pronësi të Ergys Agasit. Shishet e verës u sekuestruan gjatë kontrolleve të kryera nga SPAK në pronat e Agasit, në kohën kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin. Të dy dyshohen si drejtues të një grupi kriminal që, sipas hetimeve, rrëmbente biznesmenë dhe i detyronte të tërhiqeshin nga gara për tendera të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Pas sekuestrimit, sasia e verës iu la në ruajtje një kushëriri të Agasit. Megjithatë, kur autoritetet doganore shkuan një ditë më pas për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se shishet ishin zhdukur. Për këtë rast, kushëriri i Agasit po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprime që dyshohet se kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, pasi nuk ka dhënë shpjegime për vendndodhjen e verës së sekuestruar.
Sipas aktit të ekspertimit, vlera e verës së gjetur në qilar arrin rreth 1.4 milionë euro. Ekspertët vlerësojnë se nëse shishet do të shiteshin individualisht në treg, vlera e tyre mund të rritej të paktën dyfish.
Uh aman, me shume dridhemi ne filma, se sa keta qe dekonspirojn aksionet, bathe gjejne pastaj e ne shpresojmë se do sekuestrohen e të japin ndihma sociale per të gjithë ata që kanë paguar te pakten, per gjyqet e padrejta, per pushimet nga puna, per jetët e prishura