
Gazetarja Anduena Llabani ka paralajmëruar një tjetër skandal brenda datës 22 dhjetor, sa i takon përgjimeve të “SKY ECC”.
Ajo paralajmëroi se do të dalin emra të njohur, teksa e cilësoi absurd qëndrimin e ministrit të Brendshëm Taulant Balla për policët e lidhur me krimin.
Sipas saj, ai e di se kush del në përgjime, por nuk ka bërë asnjë shkarkim.
“Ishte një urdhër që ministri paralajmëroi që kush ka përdorur aplikacion do të largohej nga policia. Nga ajo ditë deri tani unë nuk di që në polici të jenë bërë shkarkime për shkak se është zbuluar që një drejtues policie ka qenë pjesë e aplikacionit. Atë e ka bërë SPAK-u. Erzen Breçani ka kërkuar që të flasë për Prokurorinë në lidhje me gjithçka ai di. Ne në Polici sot s’kemi më asnjë emërim, asnjë delegim. Kemi vetëm emra shefash komisariatesh, që janë me njollë të kuqe, ku ka dyshime se si këta punonjës policie marrin në drejtim një polici qarku, dhe kush vendos për këta. Ka raste që janë bërë delegime brenda natës. Ti mendon që ministri i Brendshëm nuk e di që kupola më e lartë e Policisë së Shtetit janë të përfshirë në enkro chat?! Çfarë pret që nuk bën lëvizje?!
Çudia më e madhe është që ti shikon njerëz në kupolën e Policisë, që kanë qenë pjesë e komunikimeve në SKY, që janë shumë të qetë. Çfarë presin këta?! A është ky një teatër, apo do e lëmë në ndërgjegjen e këtyre që të japin dorëheqjen?! Jam kurioze të di nëse vizita e z.Balla në Angli dhe deklaratat që ai bën përtej kufirit kanë lidhje me atë që do ndodhë shumë shpejt në Shqipëri. Mbas datës 22 Metamorfoza do të ketë një tjetër konkluzion, që do bëhet publike. Janë përftuar të dhëna shokuese për Policinë e Shtetit. Pas datës 22 do dalin emra drejtuesish të lartë të Policisë. Në këtë listë do jenë politikanë, gazetarë dhe biznesmenë. Ata i dinë, ne na vijnë në mënyrë të tërthortë informacionet. Dy, tre emra i dimë, por për arsye etike s’mund t’i themi. SPAK-u dhe BKH-ja janë duke punuar të vetëm në këtë histori. SHIK-u s’ka deleguar asnjë informacion në lidhje me çështjet në fjalë, edhe kur u arrestua Nuredin Dumani, ku kishte një kërkesë për dhënie informacione nga SHISH për individë të inkriminuar. Kishte informacione që SHISH-i s’i ka dërguar. Dumani është çelësi anglez, që ka zbërthyer shumë kode në Sky enkro”, tha ajo.
Lini një Përgjigje