
Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme shtëpinë e të moshuarve në Fier. Zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike të ndodhur në godinën pranë shtëpisë së të moshuarve.
Mes panikut për incidentin e papritur, të moshuarit e azilit të Fier kanë treguar momentin kur ndërtesa u përfshi nga flakët dhe përpjekjet për të dalë sa më parë.
Një prej të moshuarave tregon se ajo ka qenë në dhomë në momentin kur ka ndjerë aromën e tymit e më pas ka rënë alarmi për zjarr.
Ajo gjithashtu tregon se ka qenë e vështirë dalja përmes shkallëve pasi tymi kishte mbuluar gjithë godinën.
“Kur unë e pashë, tymi po vinte. Gjithmonë sirena bie për një incident të vogël. Kur e pashë tymin i thashë shoqes së dhomës çohu se po mbushet shtëpia me ty. Dhe ikëm avash avash, kur shkuam te shkallët e dyta nuk u mbushëm dot me frymë. Pastaj erdhën dhe na ndihmuan. Nuk ka pasur incidente. Kam 6 vite këtu dhe nuk ka bërë vaki. Shkëndija elektrike çfarë nuk mund të japi. Ishim të gjithë brenda. Ka ardhur i gjithë tymi brenda dhe u bllokuam brenda. Jemi të gjithë brenda. Asnjë nuk prek shyqyr Zotit. Ishte një moment paniku por jo i dëmshëm”, tha një e moshuar.
Një tjetër tha se nga jashtë dukej një zjarr i madh, ndërsa koridori u mbush plot me tym.
"Brenda isha në dhomë unë. Ishte një dritare dhe dukej një zjarr i madh. Vetëm tym, asgjë tjetër. Nuk shikoje dot. Korridori u mbush plot me tym dhe nuk kaloje dot”, tha një tjetër.
Të moshuarit do të mbahen mbrëmjen e sotme në spital, për të parë ecurinë e tyre shëndetësore.
Lini një Përgjigje