TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Tetor 2025, 15:31

Skandali, KLGJ kërkon tu mbyllë gojën mediave dhe qytetarëve që kritikojnë gjyqtarët!

Shkruar nga Pamfleti
Skandali, KLGJ kërkon tu mbyllë gojën mediave dhe qytetarëve
KLGJ

Përmes AMA-s dhe AKEP-it, Këshilli i Lartë Gjyqësor po përgatit një skemë për të censuruar rrjetet sociale, mediat dhe qytetarët që kritikojnë drejtësinë...

Përmes një lëvizje absurde, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur në planin e masave pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja një pikë të errët e thellësisht antikushtetuese.

Në mbledhjen e datës 10 tetor 2025, mes diskutimeve për sigurinë në ambientet gjyqësore dhe përmirësimin e infrastrukturës, KLGJ ka propozuar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me AMA-n dhe AKEP-in për të kontrolluar fjalën e lirë dhe për të ndëshkuar çdo kritikë ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformat online dhe media.

Konkretisht, në dokumentin zyrtar thuhet: “Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore”.

Ky formulim i përcaktuar në mënyrë të qëllimshme si “gjuhë e papërshtatshme” krijon hapësirë të frikshme për censurë arbitrare ndaj çdo individi apo media që kritikon sistemin e drejtësisë, përfshi vendimet, gjyqtarët apo aferat korruptive të konstatuara në sallat e gjykatës.

Ndërsa KLGJ duhet të merret me problemet reale që e kanë çuar sistemin e drejtësisë në krizë besueshmërie, përfshirë mungesën e masave të sigurisë, godinat e amortizuara dhe infrastrukturën e papërshtatshme, vendos të përqendrohet te “kontrolli i narrativës” në publik.

Në vend që të hetojë dështimet institucionale që sollën vrasjen e një gjyqtari, institucioni shënjestron ata që flasin për këto dështime. Duke përdorur AMA-n dhe AKEP-in si mjet presioni mbi media dhe rrjetet sociale, KLGJ kërkon të krijojë një mur heshtjeje përreth kritikës publike.

Kujtojmë se AMA është një institucion që ka pasur përplasje të herëpashershme me median, përfshi përpjekjet për të zgjeruar kompetencat në rrjetet sociale, ndërsa AKEP është një ent teknik, pa juridiksion mbi përmbajtjen mediatike, por që mund të përdoret si mjet për të ndërprerë aksesin ose penalizuar platformat.

Me këtë veprim, KLGJ ngre një alarm të rëndë për të ardhmen e lirisë së shprehjes në vend. Jo vetëm sepse tenton të mbyllë gojët e qytetarëve që kanë përjetuar padrejtësi në gjykata, por edhe sepse krijon një precedent ku gjyqësori nuk kritikohet, nuk analizohet dhe nuk preket publikisht.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli miratoi një sërë masash për përmirësimin e sigurisë në gjykata, duke përfshirë pajisjen me kamera, detektorë metalikë, standardizimin e protokolleve të sigurisë, ngritjen e grupeve të punës me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, si dhe ndërtimin e godinave të reja për disa gjykata. Por asnjë prej këtyre masave nuk justifikon censurën. Vrasja e një gjyqtari nuk mund të përdoret si pretekst për të mbyllur gojët që denoncojnë problemet në sistemin e drejtësisë. /Pamfleti

4 Komente

  1. !
    !

    Puna e pare e more qe po ben KLGJ

    1. F
      F

      KLGJ le te flasi per gjithe ata juriste qe dolen me vleresim pasurie te pa justifikuar nga vetingu, Aty eshte burimi.

      1. A
        Artur Bejleraj

        Gjykates prokurore jane bere taksidaret me te medhenj te ketij popolli qe nuk pa nje dite te bardhe per 80 vjet. FARE E KEQE

        1. A
          Artur Bejleraj

          Gjykates prokurore jane bere taksidaret me te medhenj te ketij popolli qe nuk pa nje dite te bardhe per 80 vjet. FARE E KEQE

          Lini një Përgjigje