
Policia ka reaguar mbi lajmin që publikoi “Pamfleti” pak më herët se 10 punonjës të OSHEE ishin shoqëruar në komisariat, pasi ishte zbuluar se një pallat nuk kishte fare kontratë energjie. Sipas denoncimit të një punonjësi ishte vetë kreu i OSHEE në Shkodër që kishte kërkuar që të mos bëheshin kontrolle, ndërkohë që policia shprehet se janë proceduar 2 punonjës dhe 6 banorë.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së, kontrolle në terren, për evidentimin e rasteve të lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike dhe për vënien e autorëve të këtyre rasteve, përpara përgjegjësisë penale. Evidentohen në një pallat në Dobraç, 6 raste të lidhjes së paligjshme të enegjisë elektrike. Procedohen penalisht për vjedhje të energjisë elektrike, 6 shtetas, banorë të pallatit që ndodhej në afërsi të kabinës së energjisë elektrike. Procedohen penalisht edhe 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre. Shërbimet e Policisë, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e rasteve të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjena informative, kanë ushtruar kontrolle në terren, në bashkëpunim me punonjësit e OSHEE-së.
Si rezultat i kontrolleve, në një pallat në Dobraç, janë evidentuar 6 raste të lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike. Për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, për shtetasit:
R. R., 54 vjeçe, F. A.(T.), 41 vjeçe, H. T., 65 vjeç, F. L., 38 vjeç, A. N., 64 vjeç dhe B. H., 36 vjeç, të gjithë banues në Dobraç, Shkodër. Nga verifikimet ka rezultuar se banesat e këtyre shtetasve furnizoheshin me energjie elektrike, në kundërshtim me ligjin. Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për 2 punonjës të OSHEE-së, shtetasit A. G., 41 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë shef ekipi dhe E. S., 34 vjeç, banues në Shkodër, lexues i aparateve, pasi dyshohet se kanë patur dijeni për furnizimin me energji elektrike të këtyre banesave, pa kontratë me OSHEE-në. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje