TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Gusht 2025, 14:12

Situatë alarmante nga zjarret, shënohet viktima e parë në Gramsh

Shkruar nga Pamfleti

Situatë alarmante nga zjarret, shënohet viktima e parë në

Si shkak flakëve dhe tymit që ka pushtuar zonën mësohet se në fshatin Kullollas, në Gramsh, një person i moshuar ka ndërruar jetë...

Është regjistruar viktima e parë nga zjarret në vend. Në Gramsh, flakët kanë dalë jashtë kontrollit prej disa orësh duke shkrumbuar shkurre, sipërfaqe pyjore dhe banesat në disa fshatra. Si shkak flakëve dhe i tymit mësohet se një person i moshuar në fshatin Kullollas, në Gramsh, ka ndërruar jetë, si pasojë e asfiksisë. 

80-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, që më pas i ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur masivisht në disa fshatra të tjerë. 

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, njofton policia.

Nisur nga situata alarmante, Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një tjetër thirrje urgjente për banorët e disa fshatrave në Gramsh, që të lënë shtëpitë e tyre.

“Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, njofton ministria.

Në fshatin Skënderbegas, një ndër zonat më të goditura, është dhënë urdhri për evakuim të plotë, pasi flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave.

Megjithatë, situata bëhet edhe më dramatike nga refuzimi i disa banorëve për t’u larguar, të cilët mes lotëve po përpiqen të shpëtojnë ç’të munden nga shtëpitë që po digjen.

“Nuk ikim, këtu kemi jetën tonë,” dëgjohen të thonë, të pushtuar nga dëshpërimi.

Zjarret kanë lënë banorë të lënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kanë arritur të hyjnë në zonat kritike për shkak të tymërave të dendur dhe flakëve gjigande, që e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.

Administrator i njësisë Skënderbegas në Gramsh në një deklaratë për mediat tha se situata është shumë shumë e rëndë dhe se dëmet janë të mëdha. 

"Zjarri ka përfshirë 4 fshatra ku dy janë djegur plotësisht, Kullollas dhe Bletëz. Vijon aksioni për të larguar banorët nga zona", tha ai.

Gjendja është kritike edhe në fshatrat përreth, ku çdo minutë ka rëndësi për të shpëtuar jetë, shtëpi dhe tokë. Ndërkohë, thirrjet për ndihmë nga banorët në media sociale dhe komunikime me autoritetet po shtohen nga ora në orë.

Lini një Përgjigje