TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Dhjetor 2023, 20:36

Si u kremtua Krishtlindja në Shqipëri? Pas meshës, besimtarët përcollën mesazhe paqeje, gëzimi dhe dashurie

Shkruar nga Pamfleti

Si u kremtua Krishtlindja në Shqipëri? Pas meshës,

Tirana ka çelur javën e festave. Në vigjilje të Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës organizoi mbrëmjen e së shtunës, një koncert duke sjellë një atmosferë festive.

Koncerti në sheshin “Skënderbej” nisi me orkestër simfonike që më pas iu bashkua edhe kori i fëmijëve.

I gjithë eventi ishte organizuar si udhëtim në kohë e stile muzikore. Për të shijuar koncertin u mblodhën qytetarë të shumtë, të cilët ndanë edhe urimet e para me këtë rast.

Zbukurimet, por edhe atmosfera fantastike nga ka bërë që një numër i madh turistësh të zgjedhin Tiranën për të kaluar festat e fundvitit.

Në Durrës, të shumtë kanë qenë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, që u janë drejtuar objekteve të kultit për të marrë pjesë në shërbesat fetare të organizuara për Krishtlindje.

Mbrëmjen e së dielës është mbajtur mesha, e cila u drejtua në kishën e Shën Domenikut nga vikari i përgjithshëm i Kishёs dioqezane Tiranё-Durrёs, Bernard Caruana.

Në meshën kushtuar lindjes së Krishtit merrnin pjesë besimtarë të të gjitha moshave, të cilët luten për të qenë sa më pranë Zotit të tyre në këtë datë të shënuar për kalendarin e besimit katolik.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të hëne besimtarët ortodoksë morën pjesë në meshën e mbajtur në Kishën Ortodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti”, Durrës.

Qytetarët u luten për më shumë paqe dhe mirësi mes njerëzve, ndërsa në përfundim të meshës nuk kanë munguar urimet për njeri-tjetrin.

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në qytetin e Beratit, besimtarët ortodoks dhe katolikë kanë festuar Krishtlindjen. Qindra besimtarë ortodoks i janë drejtuar mëngjesin e sotëm Katedrales “Shën Dhimitri” në qendër të qytetit, për të marrë pjesë në meshën e shenjtë.

Liturgjia hyjnore me rastin e Krishtlindjeve filloi në orën 09:00 të mëngjesit dhe u drejtua nga At Johan Qako. Ai uroi të gjithë shqiptarët për një vit me më shumë begati, dashuri e harmoni në çdo familje.

At Johan Qako përcolli tek të gjithë mesazhin që ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin pa kushte, ashtu siç zoti na ka mësuar. Besimtarët ortodoksë beratas kanë uruar “Gëzuar Krishtlindjet” dhe kanë përcjellë për të gjitha familjet beratase mesazhin “për një vit sa më të begatë, me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin”.

Pas përfundimit të meshës së shenjtë të Krishtlindjeve, besimtarët ndezën qirinj në flakët e pishtarit që simbolizon “lindjen e Krishtit”. Sipas traditës së festës, besimtarët i marrin qirinjtë e ndezur në shtëpi, si një dritë shprese për një vit më të mbarë.

Ndërkohë që edhe Besimtaret ortodokse të qytetit të Fierit kanë marrë pjesë në liturgjinë e Krishtlindjeve në Katedralen e Shën Gjergjit. Mesha u drejtua nga imzot At Nikolla i cili përcolli himnet shpresëdhënëse dhe lajmin e mirë të kësaj dite shprese për gjithë besimtarët. Këtë ditë njerëzit ndezin qirinj ndërsa  me rastin e festës mblidhen së bashku me familjarët duke përçuar mesazhe te dashurisë, solidaritetit dhe shpresës për shëndet e mbarësi.

Besimtarët e krishterë në Gjirokastër kanë festuar Krishtlindjen ndërsa zhvilluan edhe ritet religjoze në këtë Ditë të Shenjtë. Mesha e mëngjesit të Krishtlindjes për besimtarët ortodoksë u zhvillua në kishën-katedrale ” Ngjallja e Krishtit” me pjesëmarrjen e besimtarëve të shumtë që përcollën urimin për më shumë paqe, mirësi dhe harmoni

Mesha e Krishtlindjes është zhvilluar edhe nga besimtarët katolikë në kishën ” Xhuzepe Gras” në Gjirokastër.

krishtlindje shqipëri meshë

Lini një Përgjigje