
Seanca gjyqësore për dosjen e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, është shtyrë. Shkak është bërë ndërrimi i avokatit mbrojtës të Ema Çokut. Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet më 12 janar, në orën 14:30.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se shtyrja erdhi për shkak të problematikave të konstatuara gjatë shqyrtimit të akteve procedurale nga ana e të pandehurit. Ai tha gjithashtu se ditën e nesërme, 23 dhjetor, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me prova shtesë për kërkesën e tyre për lirimin nga qelia të Metës.
"Në leximin akteve, zoti Meta konstatoi që ndryshe është përpiluar kërkesa për kalimin në gjyq dhe ato prova që janë aty të evidentuara, nuk janë të shënuara, të evidentuara fizikisht. Kjo bëri që sot seanca të kishte këtë lloj kompleksiteti ndërmjet zotit Meta dhe prokurorëve. Prokurorët ndryshe shkruajnë në kërkesë dhe ato që parashtrojnë nuk i kanë prova fizike, që t’i paraqesin në gjykatë.
Kjo është ajo që ne kemi konstatuar dhe tashmë jemi në pritje të zhvillimit të seancës, të besoni që kjo çështje do përfundojë ashtu siç kanë përfunduar të gjitha çështjet e tjera të cilat janë të montuara politikisht. E them duke e bazuar në të gjithë provat që ne disponojmë. Nesër do paraqesim në Gjykatë Kushtetuese me kërkesë të tyre disa prova shtesë, që janë edhe raporti i fundit i Avokatit të Popullit, i cili ka konstatuar që po përdoret ndaj Meta një persekutim politike dhe ne nesër do t’ja vendosim në dispozicion GJK, dhe besojmë që brenda këtë vitit të shprehet, sepse çështja është për gjykim", tha Cakrani.
Ndërkohë, kujtojmë se Ilir Meta vijon të mbahet në paraburgim prej 21 tetorit 2024, pasi akuzohet nga SPAK, për kryerjen e tre veprave penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
Më 28 korrik, SPAK mbylli hetimet ndaj Metës, ndërsa në fund të gushtit dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme, duke përfshirë aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Aktualisht, çështja ndodhet ende në fazën e seancës paraprake.
Vendimi nëse dosja do të kalojë ose jo për gjykim do të merret nga gjyqtarja Irena Gjoka. Me të njëjtat akuza si Ilir Meta përballen edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë; Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, si dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, të akuzuara për pastrim parash.
Lini një Përgjigje