TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Nëntor 2024, 16:24

"Është kthyer vendi në Meksikë", Rexhepi për vrasjen e 14-vjeçarit: Të vendosen dedektorë në shkolla

Shkruar nga Pamfleti

"Është kthyer vendi në Meksikë", Rexhepi për

Eksperti i kriminalistikës Artan Rexhepi ka folur lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit në Tiranë.

Rexhepi tha se duhet të merren masa ekstreme që të mos ndodhin më të tilla ngjarje të rënda. Sipas tij, duhet që të vendosen dedektorë në shkolla dhe shërbime stacionare.

Ai thekson se policimi në komunitet është një dështim dhe situata në vendin tonë është ulëritëse. Rexhepi shtoi se ka ardhur koha e shkollave të riedukimit.

“Rendi dhe siguria janë në rënie të lirë. Ka qenë një javë e tmerrshme me krime. Aq e tmerrshme ka qenë java, sa duhet ta bëjmë vendin tonë “Republika e Meksikës”. Shtetin e mbajnë teknicenët dhe jo politikanët. Policimi në komunitet ishte dështim. Ka ardhur koha që të vendosen shërbime stacionare në shkolla e mos ngelemi në stadin që “i pajtuam palët e gjithçka mbaroi”. Situata është ulëritëse për krimin. Parlamenti bën mirë që mban 1 minutë heshtje, por mirë është që të thërrasin në interpelancë ministren e Arsimit. Të vendosen dedektorë në shkolla. Një njeri të tilla, që ka thikë me vete, edhe mësuesi e ka frikë, prandaj lind nevoja që të vendosen masa të ashpra. Ka ardhur koha e shkollave të riedukimit. Prsh nëse një nxënës kapet me thikë, ndoshta nuk dënohet, por t’i vendoset gjobë 3000 euro psh dhe ai prindi mendohet dy herë nëse fëmija ka me vete armë”, tha Rexhepi për “News 24”.

Rexhepi deklaroi gjithashtu se policët duhet që të kenë kushte më të mira pune, me qëllim që të punojnë në mënyrë më efektive. Për Rexhepin, nuk ka krim të pazbulueshëm, por ka hetues që nuk janë të zotë.

“Vrasjet tona kanë problemin që përdoren makinat e vjedhura, këtu duhet të fokusohet puna e policisë. Ka nevojë për ndërhyrje urgjente në rend. Por, në Shqipëri nuk ka mafia. Nuk dua ta zbus situatën, por nuk besoj se ka mafia. Këtu secili bën vrasje për hesap të vet, më shumë bëhen për gjakmarrje dhe ka grupe me lidhje familjare. Nuk ka krim të pazbulueshëm, por ka hetues të pazotë. Duhet investuar edhe në teknologji, duhen kushte më të mira. Është për detyrë e shtetit mos të çojë policët në kufijtë e komprementimit. Tirana duhet të kthehet në një “Big Brother”, të vendosen kamera kudo, që të zbulohen krimet. Tirana është e madhe për ne, por është vetëm një lagje e një metropoli amerikan. Duhet vetëm pak vullnet e dëshirë për punë më të mirë”, u shpreh eksperti i kriminalistikës.

 

Lini një Përgjigje