
Vapa duket se po ikën me gushtin dhe SPAK-ut nuk ja dëgjuam krismat. Shtatori duket se është testi final për Altin Dumanin...
Javët, muajt dhe vitet po kalojnë njëri pas tjetrit dhe ata që kanë 30 vite që “rrjepin” qytetarët vijojnë të jenë ende aty. 4-vite më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u ngrit me bujë të madhe. Ky organ shihej si shpëtimi i shqiptarëve, pasi do të zbardhte Gërdecin, “21 Janarin”, aferën me Rrugën e Kombit, aferën CEZ-DIA, etj. Pas 4-vitesh, Meta, Berisha, Basha dhe Rama e bëjnë gjumin e qetë. Askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.
Altin Dumani pas pak muajsh bën 1 vit në krye të SPAK dhe kjo vjeshtë është testi final për të. Pas urdhër-arrestit për Ahmetajn u fol se do të kishte emra të tjerë që do të goditeshin, por duket se doli flluskë sapuni. Tani duket se vëmendja është përqendruar në shtator. Politika në këtë muaj bëhet aktive dhe mbetet të shihet nëse SPAK do aktivizohet apo do t’i lërë në gjumë “mamuthët” e korrupsionit.
Janë disa dosje që kanë vite që zvarriten dhe tani Dumani duhet të tregojë vendosmërinë e tij për të mbyllur shpejt hetimet. Ai e deklaroi si prioritet të tij ndalimin e zvarritjeve dhe duket se nuk ka kohë më.
Por cilat janë dosjet?
Dosja që po zvarritet më së shumti është ajo e koncesioneve në shëndetësi. Që kur u krijua SPAK pati një padi ndaj Ilir Beqajt për koncesionet e Check Up dhe sterilizimit, por hetimet janë zvarritur.
Dosje tjetër po ashtu që nuk po gjen drejtësi është afera CEZ-DIA. Dosja u transferua nga Krimet e Rënda dhe 4 vite në zyrat e SPAK. I akuzuari kryesor ëhstë Ilir Meta. Ai u mor në pyetje dhe po ashtu disa bashkëpunëtorë të tij, por nuk ka pasur zhvillime.
Po ashtu kemi çështjen e lobimeve të Metës dhe atë të ndërhyrjeve estetike. Paditë kanë gati një vit, por SPAK ka ngecur.
Dosje më vete është edhe ajo e privatizimit të OSHEE nga CEZ. Në këtë dosje është paditur ish-kryeministri Berisha.
Dosje tjetër është ajo e Kompleksit Partizani. Kemi një padi ndaj ish-kryeministrit Berisha, ish-ministrit Arben Imami dhe dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi. SPAK ka marrë disa persona në pyetje, por ka harruar të pyesë të zotin e punës, Sali Berishën.
Nuk duhet harruar dosja e Gërdecit. Në gjykatë u dërgua Fatmir Mediu, por SPAK e ndau dosjen në dy pjesë, duke hetuar dhe për pastrim parash. I rrezikuar në këtë mes është djali i ish-kryeministrit. Edhe kjo dosje ka mbetur, ndërkohë që gjyqi i Mediut zvarritet.
Ka dy padi ndaj Berishës. Një është ajo e ish-truprojës së tij Izet Haxhia, i cili e akuzon për dhjetëra krime. Ndërkohë ka një padi të familjes Haklaj. Pak muaj më parë u mor në pyetje Aishe Haklaj, e cila dha 12 orë dëshmi kundër Berishës.
E rrezikuar është edhe Olta Xhaçka. Ministrja po hetohet për aferën me bazën e Sarandës, e cila u dha me koncesion. Ajo ngjiti disa herë dyert e SPAK dhe është në pozitë të vështirë. Edhe pse u paralajmërua verë e nxehtë, duket se vapa po ikën me gushtin. Tani të shohim çfarë do të sjellë shtatori. /Pamfleti
Lini një Përgjigje