
Mijëra turistë të huaj kanë pushtuar vendin tonë në këto ditë të nxehta vere, ndërsa bregdeti shqiptar mbetet i preferuari tyre.
Të shumtë janë turistët që vijnë nga Italia, ndërsa mediat fqinje i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë këtij bumi turistik.
Televizioni 'Canale 5', në një kronikë të dedikuar turistëve shkruan se Aeroporti i Tiranës flet Italisht, referuar këtu pushuesëve të shumtë që vijnë nga ky vend.
“Aeroporti i Tiranës flet italisht. Asnjëherë më parë nuk kanë qenë kaq të shumtë turistët që mbërrijnë nga Italia për të kaluar pushimet duke u larguar nga çmimet e shtrenjta të shtëpisë sonë”, shkruan media Italiane.
Gazetari italian flet për një bum turistik në Shqipëri duke krahasuar Italinë me vendin tonë, ndërsa theksin e vendos tek çmimet e ulta.
“Avioni, shtëpia dhe makina vetëm 150 euro. Bregdeti i Durrësit ka një linjë të gjatë plazhi ku një çadër jepet me një çmim të leverdisshëm. 5 euro një çadër dhe 2 shezlonge. Pra këtu 5 euro një çadër dhe 2 shezlonge!”, thotë gazetari.
Çmimet në plazh në krahasim me Italinë janë shumë më të ulëta, madje edhe ushqimet e restoranteve, ku prodhimet e detit joshin turistët por pa ju boshatisur portofolin, shprehet më tej ai.
Me të tillë shërbim dhe cilësi, italianët duken jashtëzakonisht të kënaqur dhe tashmë po përhapin fjalën e mirë, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e shifrave të turistëve nga ky vend nga viti në vit.
“Në dy vitet e fundit numri i turistëve italianë në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Në vitin 2022 ishin mbi 70 përqind më shumë se sa në vitin 2021. Fillova të sjellë edhe familjen dhe miqtë e mi, tani ata po vijnë vetë edhe pa mua.”, thekson ai.
Pak kilometra larg Durrësit është Kavaja, që ka një plazh me rërë të bardhë. Edhe këtu janë shtuar shumë turistët italianë në dy vitet e fundit.
“E vlerësoj shumë vendin këtu. Me shumë mundësi do të kthehem edhe vitin tjetër.”
Disa media të njohura italiane kanë bërë reportazhe për bumin turistik në Shqipëri. Ndërkohë, 500 mijë shtetas italianë kanë ardhur për pushime në këtë sezon veror në vendin tonë.
Lini një Përgjigje