Shqipëria vijon të jetë një nga vendet më të ekspozuara në Ballkan ndaj fatkeqësive natyrore, por pa një sistem real mbrojtjeje civile. Kjo është akuza që ngre Shemsi Prençi, ish-kreu i Emergjencave Civile, në një intervistë për në Syri TV.
Prençi flet për dështim të qëllimshëm nga ana e institucioneve shqiptare, që sipas tij nuk po zbatojnë as ligjet ekzistuese dhe as nuk po ndërtojnë struktura funksionale.
“Shqipëria është një vend me rrezik të lartë për shkak të pozicionit të saj gjeografik. Ne përballemi çdo vit me përmbytje, me zjarre, me rrëshqitje dherash, me ortekë dhe me bllokime rrugësh. Dhe këto nuk vijnë befas, përveç tërmetit. Të gjitha të tjerat janë të parashikueshme. Në vend që të kemi një sistem të organizuar që përgatitet për to, kemi vetëm deklarata politike dhe propagandë. Dhe kjo është shumë më e rrezikshme se vetë fatkeqësia”, tha Prençi
Ai thekson se strategjia për mbrojtjen civile është një dokument i detyrueshëm që nga viti 2015, por që qeveria e ka lënë në sirtar për më shumë se një dekadë. Sipas tij, ky nuk është më neglizhencë, por sabotim institucional.
“Ka dhjetë vjet që qeveria shqiptare është e detyruar të miratojë një strategji kombëtare për mbrojtjen civile, e cila duhet të shoqërohej me planin kombëtar, planet për çdo bashki dhe për çdo institucion përgjegjës. Dhe ne, në vitin 2026, ende flasim për ‘dokument në konsultim publik’. Kjo nuk është vonesë administrative, është sabotim i pastër. Sepse çdo ditë pa këtë strategji, jemi të pambrojtur, dhe ata që vuajnë janë qytetarët”, vijoi ai.
Lini një Përgjigje