TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2026, 16:07

Moti i keq në vend/ Rrëshqitje dherash në aksin Burrel-Rrëshen, probleme edhe në Lezhë

Shkruar nga Pamfleti

Moti i keq në vend/ Rrëshqitje dherash në aksin

Banesat e tokat bujqësore në Qarkun e Lezhës vijojnë të jetë nën ujë pas përmbytjeve të shkaktuara nga fryrja e përrenjve dhe lumenjve.

Banorët shprehen se janë lënë në mëshirë të fatit pasi askush nuk ka shkuar në ndihmë të tyre. Ata i bëjnë thirrje shtetit që të dëmshpërblejë dëmet që u janë shkaktuar në banesa.

Qarku i Lezhës është përfshirë nga reshje të dendura shiu gjatë ditës së djeshme duke sjellë përmbytje në disa zona për të disatën herë në pak muaj. Uji ka përmbytur banesat, oborret e shkollave dhe bodrume pallatesh.

Në Gjadër është rritur niveli i prurjeve të lumit duke përmbytur urën që lidh fshatrat Gramsh dhe Zojz me Gjadrin teksa është ndërhyrë për pastrimin e mbeturinave që kishin bllokuar urën. Banorët e zonave të përmbytura shprehen se janë të sëmurë dhe gjithashtu i bëjnë thirrje qeverisë t’i ndihmojë.

Në Bashkinë Mirditë po punohet për largimin e inerteve nga rrugët urbane dhe ato rurale. Shkarkimet nga HEC Qafë Mollë nuk kanë nisur ende, pasi prurjet janë vlerësuar të menaxhueshme.

Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë në territorin e Bashkisë Lezhë llogaritet rreth 1 010 hektarë, e shpërndarë në disa njësi administrative. Në Bashkinë Kurbin sipërfaqja e përmbytur arrin rreth 2 000 hektarë, kryesisht në zonat e Fushë Milotit, Gjormit, Mamurrasit dhe Adriatikut. Probleme me energjinë elektrike raportohen vetëm në zonat malore të Kurbinit.

Ndërkohë, aksi nacional Burrel-Rrëshen është vështirë të qarkullohet me çdo lloj mjeti për shkak të probleme të shumta. Veç amortizimit ndër vite të këtij aksi rrugor, reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar shembje të shkëmbinjve dhe rrëshqitje të dherave në disa segmente.

Më problematike situata paraqitet pranë urës së Urakës ku një masiv shkëmbor ka rënë në mes të rrugës. Po ashtu, në këtë segment ka edhe shembje të skarpatës së rrugës duke e ngushtuar karrexhatën vetëm me një sens lëvizje.

Lini një Përgjigje