TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2026, 15:21

Krimi i ulur këmbëkryq në Bashkinë Memaliaj/ A do ta hetojë SPAK kryetarin Albert Malaj si pjesë e grupeve kriminale?

Shkruar nga Arben Llangozi
Krimi i ulur këmbëkryq në Bashkinë Memaliaj/ A do ta
Albert Malaj

A do të hetohet kryetari Albert Malaj për lidhje të mundshme me grupe kriminale dhe për kapje të institucionit vendor?

Krimi nuk troket më në dyert e institucioneve. Në Memaliaj, ai është futur brenda, është ulur këmbëkryq dhe administron paratë e qytetarëve. Bashkia Memaliaj, në vend që të jetë institucion publik në shërbim të ligjit dhe interesit qytetar, sipas fakteve dhe rrethanave të bëra publike, duket se funksionon si një strukturë e kapur nga grupet kriminale.

Në qendër të këtij skandali qëndron kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, i cili mban përgjegjësinë politike, administrative dhe morale për çdo emërim dhe vendim që merret brenda institucionit që drejton. Dhe rasti më flagrant është ai i drejtorit të financave, Besnik Caushi.

Besnik Caushi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Me vendimin nr. 772, datë 19.04.2021, Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar atë me 5 vite burgim për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim. Dënimi është pezulluar me kusht, por vendimi penal ekziston dhe është fakt publik.

Pavarësisht këtij dënimi, Caushi është emëruar drejtor i financave të Bashkisë Memaliaj, pra njeriu që kontrollon buxhetin, tenderët, pagesat dhe qarkullimin e parave publike. Ky emërim nuk është rastësi dhe as gabim teknik. Ai mban firmën dhe vullnetin e kryetarit Albert Malaj.

Dhe këtu lind dyshimi i madh që kërkon përgjigje nga organet e drejtësisë: Pse një person i dënuar për trafik droge vendoset në krye të financave publike? Kujt i shërben ky emërim? Qytetarëve apo interesave kriminale?

Sipas provave, ky emërim dyshohet se është bërë për të garantuar kontrollin e tenderëve dhe fondeve të bashkisë, duke e kthyer drejtorinë e financave në një pikë kyçe për kanalizimin e parave publike në duar të caktuara të krimit të organizuar. Nëse këto dyshime provohen, atëherë nuk kemi më thjesht shkelje administrative, por bashkëpunim të drejtpërdrejtë me krimin e organizuar.

Ironia është është se qytetarëve të Memaliajt u kërkohet të paguajnë taksa, të respektojnë ligjin dhe të durojnë mungesën e shërbimeve, ndërsa paratë e tyre administrohen nga krimi. Në këtë bashki duket se rekordi kriminal nuk është pengesë, por avantazh për karrierë.

Pyetja nuk është më nëse ka problem në Bashkinë Memaliaj. Pyetja është: A do të reagojë SPAK? A do të hetohet kryetari Albert Malaj për lidhje të mundshme me grupe kriminale dhe për kapje të institucionit vendor?

Sepse kur një kryetar bashkie vendos njerëz të dënuar në pozicione kyçe, ai nuk mund të fshihet pas justifikimeve. Heshtja dhe mosveprimi në këtë rast janë bashkëfajësi.

 

Lini një Përgjigje