
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lexoi sot konkluzionet përfundimtare për deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa. Prokurori Sotir Kllapi kërkoi dënimin e Xhafës me 6 muaj burg për akuzën e drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, dënim që propozohet të pezullohet në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.
Sipas hetimeve të SPAK, në mars të vitit 2023, Xhafa, duke drejtuar një automjet Toyota në gjendje të dehur, shkaktoi një aksident në Elbasan.
Ligjvënësi demokrat akuzohet për veprën penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal. Nga hetimet ka rezultuar se më 11 mars të vitit 2023, Xhaf ka shkaktuar aksident teksa drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Deputeti humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një shtyll të ndriçimit rrugor duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Në kohën e aksidentit Qani Xhafa ishte kandidat për deputet dhe në atë kohë dosja u hetua nga gjykata e rrethit.
Por pasi Luciano Boçi la mandatin për të garuar për kryetar bashkie automatikisht Qani Xhafa u fut ne parlamenti dhe tashmë çështja ndaj tij duhet të gjykohet nga GJKKO.
Lini një Përgjigje