Çmimi i bukës në qytetin e Korçës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke arritur deri në 150 lekë për një bukë masive.
Sipas qytetarëve, deri pak ditë më parë buka tregtohej me rreth 120 lekë, ndërsa aktualisht çmimi varion nga 140 deri në 150 lekë, në varësi të furrës dhe llojit të produktit.
Konsumatorët shprehen se janë përballur me një rritje të papritur të kostos në pikat ku furnizohen çdo ditë.
Ndërkohë kjo rritje e çmimeve vjen pak kohë nga shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, i cili çoi në izolimin total të juglindjes.
Pronarë të disa furrave kanë deklaruar për mediat se rritja e çmimeve ka ardhur sipas tyre si pasojë e shtimit të shpenzimeve.
Sipas tyre, edhe pse çmimi i miellit nuk ka pësuar ndryshime së fundmi, janë rritur kostot e tjera, si transporti apo energjia elektrike.
Ndërkohë bllokimi i aksit Librazhd-Prrenjas ka sjellë edhe rritjen e blietave të autobusëve.
Nëse më parë për të udhëtuar drejt Tiranë paguanin 700 lekë të reja tashmë çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja për një biletë.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për koston e shtuar, duke theksuar se për shumë familje kjo rritje është e papërballueshme.
Megjithatë, shqetësimi më i madh i qytetarëve është se kjo rritje mos mbetet e përhershme edhe pas normalizimit të situatës.
Nga ana tjetër shoferët shprehen se rritja e çmimit të biletës ka ardhur si pasojë e zgjatjes së kohës së rrugës, konsumit më të lartë të karburantit dhe amortizimit të mjeteve. Sipas tyre, udhëtimi tashmë zgjat disa orë më shumë se zakonisht.
Bllokimi i rrugës në Librazhd, Rama: Zero korrupsion
Kryeministri Edi Rama gjatë podkastit të tij “Flasim” komentoi situatën në aksin Librazhd-Prrenjas, e cila vijon të jetë e bllokuar për shkak të rrezikut si pasojë e shembjes së tokës.
Ai u shfajsua se ajo është një fatkeqësi natyrore, që nuk ka të bëjë me njeriun, por me natyrën.
Ai tha se situata nuk është krijuar si pasojë e korrupsionit, por gjeologjisë.
“E pikërisht kur Shqipëria po e lufton korrupsionin më fort se asnjëherë dhe këto janë fakte, këtu flitet se korrupsioni është më i madh se asnjëherë. Po kaq e vërtetë është kjo, sa ç’është e vërtetë lidhja e korrupsionit me atë rrëshqitje. Zero, zero! Aty ka një gjeologji të vështirë dhe rrëshqitja ka afektuar, jo aksin e ri, asgjë që lidhet me kantierin dhe me të gjitha punimet që janë bërë me kantierin përgjatë segmentit të rrugës Elbasan-Qafë-Thanë, po rrugën e vjetër, në një vend ku terreni malor, formacionet argjilore dhe shpatet e paqendrueshme janë afektuar ndjeshëm, siç ka ndodhur në shumë vende, duke u nisur nga Greqia fqinje për shkak të reshjeve shumë intensive dhe këmbëngulëse të këtij dimri”, tha Rama.
Lini një Përgjigje