Drejtori i Mjedisit në Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Klesti Çela, është shpallur në kërkim nga policia pasi dyshohet se ka dhunuar në ambientet e institucionit drejtorin e Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta.
Sipas informacioneve, Çela, i cili është edhe kunati i Ergys Agasit, dyshohet se së bashku me tre persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë goditur Metën brenda ambienteve të institucionit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 shpallën në kërkim shtetasin Klesti Çela, pasi dyshohet se dje, së bashku me 3 shtetas ende të paidentifikuar, ka goditur për shkak të detyrës shtetasin Meta, drejtor i Drejtorisë së Ekzekutimit të Vendimeve të IKMT-së, në ambientet e këtij institucioni. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.”, njofton policia.
Burime bëjnë me dije se konflikti brenda institucionit lidhej me një çështje që kishte të bënte me një grup inspektimi për depozitimin e dherave. Fillimisht debati mes Metës dhe Çelës ka nisur në formë verbale, ndërsa një ditë më pas situata është përshkallëzuar në dhunë fizike, ku dyshohet se Meta është goditur me qytën e pistoletës.
Fatmir Meta është një nga drejtuesit e IKMT-së i njohur për aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje. Së fundmi ai drejtoi edhe operacionin për shembjen e disa ndërtesave turistike në Theth, ku pati edhe përplasje me banorët e zonës.
Pas incidentit, kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro, vendosi shkarkimin nga detyra të Klesti Çelës si dhe të Ervin Bixhës, i cili mbante postin e këshilltarit pranë kryeinspektorit. Bixha është vëllai i Elgert Bixhës, një emër i lidhur me biznesmenin Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK për skandalin dhe aferat me AKSHI-n.
Lini një Përgjigje