TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Qershor 2023, 15:50

SHBA vë në “shënjestër” Mediun, përfaqësues të ambasadës monitorojnë gjyqin për Gërdecin

Shkruar nga Pamfleti

SHBA vë në “shënjestër” Mediun,

Amerikanët duket se kanë nuhatur pazaret dhe zvarritjet e gjyqit për Mediun dhe kanë vendosur të monitorojnë nga afër procesin...

Fatmir Mediu është vënë në shënjestër nga amerikanët. Sot u mbajt seanca e radhës kundër tij sa i takon tragjedisë së Gërdecit, por në sallë kanë qenë përfaqësues të ambasadës amerikane. Sot pritej pretenca për ish-ministrin dhe për herë të parë u panë përfaqësuesit e ambasadës, të cilët kanë monitoruar seancën. Si duket prezenca e tyre ndryshoi dhe rrjedhën e ngjarjeve. Gjykata sot pranoi që familjarët e 26 viktimave të Gërdecit të pranohen si palë në proces, duke hapur një tjetër rrjedhë për gjyqin.

Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se aty ku shfaqen përfaqësuesit e ambasadës nuk luhet kollaj me ligjin. Gjyqi i Saimir Tahirit u monitorua prej tyre dhe ai u dënua me mbi 4 vite burg. Gjyqi për Adriatik Llallën u monitorua prej tyre dhe ish-kryeprokurori u dënua me 2 vite burg. Pra shihet se mesazhi është i qartë: SHBA kërkon drejtësi për Gërdecin dhe ambasada duket se nuk do të lejojë pazare.

Gjyqi ndaj Mediut po shtyhet prej disa muajsh. U morën 3 muaj derisa dosja kaloi për gjykim. Por edhe pas nisjes së procesit ka pasur vetëm zvarritje dhe manovra. Duket sikur ka pasur një lloj pakti të fshehtë mes Mediut, gjyqtarëve dhe SPAK. Amerikanët e kanë nuhatur këtë gjë dhe sot janë vënë në lëvizje duke dërguar një mesazh të fortë për SPAK, gjyqtarët, por dhe për vetë avokatët e Mediut.

 

gerdeci shba mediu

Lini një Përgjigje