TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Maj 2025, 21:16

SHBA ul interesin për Shqipërinë? Rubio pret në takim ministrin maqedonas, shpërfill milionat e Berishës dhe ‘Sazanin’ e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
SHBA ul interesin për Shqipërinë? Rubio pret në takim
Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në Uashington

Në një kohë kur në vendin tonë, postimet dhe “retweet”-et e ambasadës Amerikane në Tiranë janë e vetmja lidhje që na ka mbetur me SHBA-në, fqinjët tanë zhvillojnë takime me figura të larta përtej Atlantikut.

Shqipëria duket se është jashtë optikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një kohë kur në vendin tonë, postimet dhe “retweet”-et e ambasadës Amerikane në Tiranë janë e vetmja lidhje që na ka mbetur me SHBA-në, fqinjët tanë zhvillojnë takime me figura të larta përtej Atlantikut.

Pikërisht Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi sot një takim zyrtar në Uashington me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe, tregtia dhe bashkëpunimi ekonomik.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, takimi theksoi raportin e fortë mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe interesat e përbashkëta në stabilitetin rajonal, bashkëpunimin ekonomik dhe NATO-n.

Mucunski nga ana tjetër konfirmoi përkushtimin e Shkupit për të avancuar dialogun politik me Uashingtonin dhe për të institucionalizuar partneritetin strategjik përmes zbatimit të Planit të Përbashkët të Veprimit, që doli nga dialogu strategjik i nisur në vitin 2022.

Ndërkohë në Shqipëri, një urim pa emër për zgjedhjet e 11 majit është bërë mollë sherri për palët, ku secila prej tyre e lexon në këndvështrime të ndryshme. Kjo situatë “heshtje” nga ana e SHBA-së tregon edhe një herë që Shqipëria po shpërfillet nga përtej Atlantikut.

Prej gati 2 vitesh pa një ambasador në Tiranë, dhe që nga Janari pa asnjë komunikim zyrtar nga Uashingtoni për Shqipërinë, të bënë të mendosh se vendi ynë nuk është në planet e administratës Trump. 

Edhe pse qeveria po mundohet nëpërmjet joshjesh me investime të njerëzve të afërt të Trump, (rasti i Jared Kushner me Sazanin), dhe opozita po shpenzon miliona me lobime, Uashington sot duke më larg se kurrë për shqiptarët. A është ky një injorim për të gjithë kastën aktuale politike në vend, apo mospërfillje për Shqipërinë, kjo mbetet për tu parë në muajt e ardhshëm./Pamfleti

Lini një Përgjigje