TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2025, 14:20

SHBA apel gjyqtarëve dhe prokurorëve: Merrni vendime të guximshme, vetëm kështu luftohet korrupsioni

Shkruar nga Pamfleti
SHBA apel gjyqtarëve dhe prokurorëve: Merrni vendime të
Nancy VanHorn dhe kreu i SPAK, Altin Dumani

Në një ceremoni të organizuar për nder të Ditës së Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ku ishin të ftuar kreu i SPAK, Altin Dumani, ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari si dhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, theksoi rëndësinë e parimeve thelbësore që qëndrojnë pas Kushtetutës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e demokratike.

VanHorn theksoi se Kushtetuta është shumë më tepër sesa një dokument ligjor, ajo është një angazhim i fuqishëm për të mbrojtur të drejtat e individëve dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi të drejtë dhe funksional që i jep mundësi çdo qytetari për të jetuar në liri dhe dinjitet. Ajo i bëri thirrje Shqipërisë të forcojë angazhimin e saj për luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një pengesë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.

SHBA apel gjyqtarëve dhe prokurorëve: Merrni vendime të

"Në Ditën e Kushtetutës, na kujtohet se parimet e një demokracie funksionale përfshijnë mbrojtjen e të drejtave të individëve, ndarjen e pushteteve, lirinë e fjalës dhe sundimin e ligjit. Këto parime nuk janë thjesht ideale abstrakte; ato janë themeli i besimit midis qeverive dhe popujve të tyre," tha VanHorn.

Në një apel drejtuar autoriteteve shqiptare, ajo u bëri thirrje gjyqtarëve, prokurorëve, shoqërisë civile dhe shtypit të lirë që të qëndrojnë të palëkundur në luftën kundër korrupsionit dhe të punojnë pa ndalur për të forcuar besimin midis qytetarëve dhe institucioneve që i shërbejnë atyre.

"Gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e shoqërisë civile dhe një shtyp i lirë janë rojtarët e të drejtave të çdo qytetari shqiptar. Ju keni fuqinë të siguroni që drejtësia të mos jetë thjesht një fjalë, por një realitet për të gjithë shqiptarët. Keni përgjegjësinë të mbroni drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien. Dhe keni mundësinë të forconi besimin midis njerëzve dhe institucioneve që i shërbejnë atyre.Kjo punë kërkon guxim, guximin për të marrë vendime të vështira, për të rezistuar ndaj korrupsionit dhe për të qëndruar të palëkundur përballë trysnisë. Ndërsa vazhdoni punën tuaj jetike, mos harroni se një kushtetutë është më shumë se një dokument ligjor. Është një premtim i gjallë për të mbrojtur të drejtat, për të mbështetur drejtësinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.", shtoi ajo.

Deklarata e E Ngarkuarës me Punë shërbeu gjithashtu si një kujtesë për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësinë për sundimin e ligjit se ata kanë një detyrë të madhe për të mbrojtur dhe përmbushur idealet e Kushtetutës, duke ofruar transparencë dhe llogaridhënie në çdo nivel të shoqërisë.

shba apel gjyqtarëve dhe prokurorëve

Lini një Përgjigje