
Skandali është se ndërtimi i tunelit duhej të ishte mbyllur në prill të vitit 2022, por u shty me 17 muaj për tu dorëzuar në shtator të vitit 2023...
Vijojnë skandalet me Rrugën e Arbrit. Përveçse gllabëron miliona, duket se kjo rrugë nuk ka fund.
Sipas informacioneve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka shtyrë përsëri afatin për ndërtimin e tunelit të Murrizit, i cili duhej të ishte dorëzuar që në shtator të këtij viti. Sipas Ministrisë shkak për këtë shtyrje është bërë kompleksiteti i punimeve, për këtë arsye pritet që tuneli të dorëzohet në vitin 2025.
Skandali është se ndërtimi i tunelit duhet të ishte mbyllur në prill të vitit 2022, por u shty me 17 muaj për tu dorëzuar në shtator të vitit 2023. Por firma "Gjoka Konstruksion” ka vijuar me të njëjtin avaz, duke u justifikuar se terreni është i vështirë dhe nuk e mbyll dot para afateve.
Për vitin që vjen për koncesionin e Rrugës së Arbit janë parashikuar pagesa në vlerën 3.5 miliardë lekë.
Në fillim të muajit dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pranuan në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve se nuk e dinin se kur do të përfundonte tuneli i Murrizit. Por duket se tani është shtyrë projekti.
Zv.ministrja Enkelejda Muçaj dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi iu shmangën gjithashtu pyetjes se çfarë do të ndodhë më tej me kontratën koncesionare.
“Është duke mbaruar asfaltimi për të gjitha segmentet rrugore, me përjashtim të tunelit të Murrizit,” tha kreu i ARRSH, Evis Berberi ndërsa shtoi: “në momentin që do të shohim dritë në fund të tij, do t'u japim një datë të saktë se kur përfundon”.
Sipas Berberit, mospërfundimi i punimeve lidhet me problemet gjeologjike. Deputetja Çupi këmbënguli që të merrte përgjigje nga zëvendësministrja duke e pyetur atë nëse: “ishte zgjatur sërish kontrata koncensionare për rrugën, kur përfundonte kjo rrugë dhe kush do t'i kryente punimet pas përfundimit të kontratës”.
Por Muçaj në vend të një përgjigjeje konkrete, e ftoi deputeten në zyrë për t'ia dhënë këto informacione. “Për sa i përket Rrugës së Arbrit dhe kontratës do doja të vendosja me ju një takim zyrtar për t'ju informuar zyrtarisht me informacion të detajuar se ku ndodhet problematika”, tha ajo në komision, ftesë që u konsiderua e çuditshme nga Çupi.
Kontrata e rrugës së Arbrit ishte parashikuar për t'u dorëzuar në prill 2022, por qeveria mori vendim për ta shtyrë këtë kontratë me 17 muaj të tjerë, afat që përfundoi me 20 shtator të këtij viti.
Rruga e Arbrit në total pritet tu kushtojë qytetarëve 40.3 miliardë lekë me pagesa që do të vijojnë deri në vitin 2031. Qytetarët kanë paguar sakaq 15 miliardë lekë ndërsa kompania sipërmarrëse ka dështuar deri më sot të dorëzojë objektin sipas kontratës, ku pjesa kyçe, tuneli nën qafën e Murrizit, vijon të mos jetë operacionale edhe një vit e gjysmë pas skadimit të afatit fillestar. Aktualisht qeveria nuk jep të dhëna se kur mundet që rruga të përfundojë së ndërtuari, pavarësisht se kompania sipërmarrëse ka marrë shtesë kontrate. Dhe jo vetëm kaq, por e njëjta kompani ka fituar një tender të titulluar “rivitalizimi i skarpatave”, gjë që efektivisht është shtesë mbi shtesën e kontratës për ndërtimin e këtyre pesëdhjetë kilometrave rrugë.
Lini një Përgjigje