
Rruga ‘E Dibrës’ ka ‘ngrënë’ shumë para nga taksapaguesit shqiptarë për t’u pajisur me sinjalistikë horizontale, që përfshin të gjitha shenjat e vizatuara në tokë dhe ndonjë semafor tek-tuk. Përjashto kaosin e makinave që parkojnë vend e pa vend, pallatet që ‘të marrin frymën’ dhe bizneseve që nxjerrin tavolinat edhe në trotuar, për ne që jemi mësuar të jetojmë në zhurmë e rrëmujë, nuk është edhe aq keq.
Po të shkosh afër Medresesë, aty ku zona njihet si ‘tregu kinez’, kaosi shtohet edhe më shumë, kjo edhe për shkak të lëvizjes së dendur si të makinave edhe të këmbësorëve. Por edhe më ‘traumatike’ bëhet gjendja nëse futesh nëpër lagjet e kësaj rruge të inauguruar në çdo prag fushate zgjedhore.
Banorët e lagjes që ndodhet tek kopshti nr.6 janë ankuar tek ‘Pamfleti’ për rrugën e tmerrshme që është aty. “Kemi lënë rrogën për të riparuar makinat”, shprehen ata, duke na nisur edhe foto të lagjes. Me ndërtimin e pallateve të reja (ku kushton 1700 euro metri katror për një apartament), gjendja është përkeqësuar dhe rruga është bërë një ‘tmerr’ i vërtetë, i cili përjetohet çdo ditë nga banorët e lagjes.
Për të mos spekuluar, ne i bëmë foto rrugës në ditë me diell, se po të ishte shi, kishte rrezik të mos dilnim më dot nga lagja për shkak të baltës, llucit dhe pellgjeve me ujë që krijohen aty. /Pamfleti

Lini një Përgjigje