TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Shkurt 2024, 10:38

Rritja e çmimit të patentave, autoshkollat bojkotojnë aktivitetin në gjithë vendin

Shkruar nga Pamfleti

Rritja e çmimit të patentave, autoshkollat bojkotojnë

Shoqata kombëtare e autoshkollave bojkoton aktivitetin në të gjithë vendin, pas vendimit të Drejtorisë së Transporteve për të rritur çmimin e pajisjes me leje drejtimi.

Kreu i shoqatës kombëtare të Autoshkollave, Agron Beja, u shpreh për mediat se vendimi i marrë nga Drejtoria e Transportit Rrugor nuk është diskutuar, madje as nuk janë informuar për të grupet e interesit. Disa nga rritjet e tarifave, ai i quan të palogjikshme.

“Kryesia e shoqatës kombëtare të autoshkollave, duke marrë një vendim për bojkotin të të gjitha shërbimeve pranë drejtorisë së Transportit rrugor, pasi veprimet e saj bien ndesh me disa elementë të një transparence mbi këto lloj shërbimesh. Ajo që është më kryesorja, mosinformimi i grupit të interesit, veprim të cilin nga ana ligjore e ka të detyrueshëm që 30 ditë përpara se të aprovohet një shërbim detyrimisht duhet të njihet grupi i interesit për procedurën e veprimit.

Këtu bëhet fjalë për ndryshimin e tarifave. Edhe sot që ne flasim, që ka hyrë në fuqi ky vendim, në të gjitha drejtoritë rajonale, autoshkollat si grupe interesi në mënyrë indirekte janë të cenuara nga ky lloj veprimi. Cenimi kryesor vjen si rezultat i mosinformimit. Sot ne nuk dimë akoma sesi është kjo lloj procedure shërbimi.

Si qytetar, disa nga këto rritje nuk qëndrojnë. Autoshkollës i është rritur shërbimi në disa aspekte. Konkretisht, një kandidat për leje drejtimi të kategorisë B, përpara se të regjistrohet pranë autoshkollës, duhet të prezantojë pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor një pagesë 1 mijë lekë të reja që lidhet me autorizimin e shërbimit për trajtimin e teorisë. Drejtuesi i mjetit i nënshtrohet anës teorike. Automatikisht, ai duhet të prezantohet pranë këtij institucioni ditën që e ndjen veten të aftë për teorinë, duke iu shtuar një tarifë shërbimi 1 mijë lekë të reja”, u shpreh kreu i shoqatës kombëtare të autoshkollave.

Bojkoti në të gjitha drejtoritë do të zhvillohet vetëm sot. Ata lanë një afat deri në fundjavë dhe nëse nuk merren masa do të ketë një protestë të shtunën para kryeministrisë ku do të vijnë autoshkollat e vendit dhe do të ketë një përshkallëzim të protestës së tyre.

Kujtojmë se rreth një vit më parë, autoshkollat ishin dakord për një rritje të tarifave për lejen e drejtimit, por për shkak të polemikave që pati tek qytetarët u anulua. Autoshkollat shprehen se duhet të ketë një rishikim pasi kostot e tyre janë të larta.

Kujtojmë se javën e kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka bërë rishikim dhe indeksim për të gjitha shërbimet dhe tarifat që ofron. Në njoftimin e saj, Drejtoria thotë se ka një për disa kategori ka rritje të vlefshmërisë së lejeve të drejtimit, në të njëjtën kohë edhe rritje të kostos.

rritje autoshkolla cmimi i patentave bojkot

Lini një Përgjigje