Shoqatat e transportit publik kanë ngritur shqetësimin për përkeqësimin e situatës në sektor, duke theksuar rritjen e ndjeshme të kostove, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburantit dhe mungesës së masave mbështetëse nga institucionet.
Sipas tyre, nëse nuk ndërhyhet menjëherë, nga java e ardhshme rreth 450 linja në të gjithë vendin mund të ndërpresin shërbimin.
“Në mungesë të një ndërhyrjeje të shpejtë dhe konkrete nga ana e institucioneve përgjegjëse, operatorët nuk do të kenë mundësi financiare për të përballuar vazhdimin normal të aktivitetit nga java e ardhme. Për rrjedhojë nëse institucionet nuk reagojnë, siç e theksuam edhe me lart, nga java e ardhshme do të vihet seriozisht në rrezik vijimësia e shërbimit publik për qytetarët”, thotë shkresa.
Shoqata e Transportit Qytetas dhe ajo e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar sërish ministrive përgjegjëse, të drejtuara nga Delina Ibrahimaj dhe Enea Karakaçi, duke kërkuar miratimin urgjent të një skeme kompensimi për karburantin, të ngjashme me atë të zbatuar në vitin 2022.
Operatorët bëjnë me dije se pas një takimi të zhvilluar më 1 prill ishte premtuar një tjetër mbledhje më 7 prill, por ajo nuk është mbajtur dhe deri tani mungon çdo reagim zyrtar nga institucionet, çka sipas tyre ka rritur pasigurinë financiare në sektor.
Në kërkesat e tyre, ata theksojnë se rritja e kostove për mirëmbajtjen, pjesët e këmbimit dhe veçanërisht karburantin ka rënduar ndjeshëm aktivitetin, duke kërkuar një paketë emergjente mbështetëse dhe kompensim të naftës në nivelin prej 100 lekë për litër.
Shoqatat paralajmërojnë se në mungesë të masave konkrete, sektori rrezikon reduktimin e flotës dhe uljen e frekuencës së linjave, deri në ndërprerje të plotë të shërbimit, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
Gjithashtu, kërkesa përfshin edhe lehtësime fiskale, si ulja e akcizës, taksës së qarkullimit dhe TVSH-së, si masa të domosdoshme për stabilizimin e situatës dhe shmangien e kolapsit të sektorit.


Lini një Përgjigje