
Në Stacionin Kufitar të Kakavijës, fluksi i lëvizjes mbetet i lartë në të dyja anët e kufirit me Greqinë gjatë ditëve të festës së Pashkës.
Sipas të dhënave të Policisë Kufitare, gjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar gjithsej 10 076 shtetas në hyrje dhe dalje. Prej tyre, 6 838 kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 3 238 kanë dalë. Në të njëjtën periudhë janë përpunuar edhe 3 358 mjete, ku 2 411 në hyrje dhe 947 në dalje.
Në anën shqiptare, dogana punon me 4 sportele në hyrje dhe 2 në dalje. Në anën greke funksionojnë 3 sportele në hyrje dhe 3 në dalje. Ky raport përpunimi po ndikon drejtpërdrejt në ritmin e kalimit, në një periudhë kur lëvizja është rritur ndjeshëm për shkak të festave.
Burimet kufitare e lidhin zgjatjen e kohës së pritjes në sportelet greke me zbatimin e regjimit të ri të kontrollit për hyrjen në zonën Shengen. Pikërisht ky ndryshim procedural ka ngadalësuar përpunimin në palën greke të Kakavijës, duke krijuar radhë dhe vonesa më të gjata se zakonisht.
Deri tani, fluksi vijon të mbetet i përqendruar sidomos në hyrje, çka tregon se lëvizja e emigrantëve dhe udhëtarëve për festat po vazhdon me intensitet.
Lini një Përgjigje