TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Tetor 2024, 11:36

Rikthimi në Itali i emigrantëve, Meloni sfidon gjykatën: Do gjejmë rrugë të reja, javën që vjen dërgohet në Shqipëri një tjetër grup

Shkruar nga Pamfleti

Rikthimi në Itali i emigrantëve, Meloni sfidon gjykatën: Do

Qeveria italiane nuk tërhiqet, ndërsa paralajmëron se javën e ardhshme pritet një tjetër transferim emigrantësh drejt qendrës së Gjadrit në Lezhë.

Vendimi i Gjykatës së Romës për të kthyer mbrapsht në Itali 12 emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti që ndodheshin në kampin në Gjadër ka sjellë përplasje mes Giorgia Melonit dhe magjistratëve.

Sipas La Repubblica, pavarësisht vendimit të gjykatës, qeveria italiane nuk do të tërhiqet.

Prestigjiozja italiane raporton se Giorgia Meloni ka deklaruar se javën e ardhshme në Shqipëri do të vijë një grup tjetër me refugjatë. Kryeministrja italiane është shprehur se do të gjenden zgjidhje alternative.

Çështja nuk është Shqipëria, çështja është shumë më e gjerë. Në thelb, gjyqtarët thonë se nuk ka vende të sigurta. Kështu që unë ju komunikoj zyrtarisht se problemi nuk është në Shqipëri, problemi është se askush nuk mund të riatdhesohet, nuk mund të largoni njerëzit, nuk mund të bëni asnjë politikë për të mbrojtur kufijtë.Shpresoj se do të më thoni edhe se si zgjidhet, si menaxhohet rendi publik, kush do të paguajë miliardat e mikpritjes që ne do të duhet të paguajmë”, është shprehur Meloni.

Do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem, premtoi Meloni, ndërsa thekson “kam ndërmend të eci përpara. Por është një çështje që do ta zgjidhim së shpejti”.

Ditën e sotme u nisen drejt Italisë, 12 emigrantët që prej 3 ditësh ishin akomoduar në kampin e Gjadrit.

Një anije e rojës bregdetare italiane mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit, ndërsa një autobus nën masa të forta sigurie, bëri transportin e grupit prej 12 emigrantësh nga Gjadri drejt portit.

I gjithë procesi ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa pas procedurave formale, grupi prej 12 emigrantësh ka hipur në anije për tu rikthyer në Itali.

Me shumë gjasë anija me 12 emigrantët do të ndalet në portin e Barit dhe më pas emigrantët do të akomodohen në një qendër pritjeje, ku do të kenë një afat 14 ditor për të apeluar vendimin që refuzon azilin e tyre.

Ditën e djeshme seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës nuk e ka vërtetuar ndalimin e tyre brenda qendrës.

 

Lini një Përgjigje