TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Tetor 2024, 08:54

U deklarua kundër që në fillim, kush është gjyqtarja që “hodhi në erë” marrëveshjen miliona euroshe Rama-Meloni për emigrantët

Shkruar nga Pamfleti
U deklarua kundër që në fillim, kush është gjyqtarja
Gjyqtarja Silvia Albano dhe Giorgia Meloni

Vendimi i marrë nga gjyqtarja e Romës, Silvia Albano për transferimin në Itali të 12 emigrantëve të parë që zbarkuan në Shqipëri ka shkaktuar një stres të madh në qeverinë italiane. 

Albano "fundosi" idenë e Melonit dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për të mbushur Shqipërinë me refugjatë që vijnë nga vendet e pasigurta. 

Vendimi i Gjykatës së Romës u bazua në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Evropiane më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.

Sipas vendimit të Gjykatës së Romës, Egjipti dhe Bangladeshi konsiderohen vende të pasigurta dhe për këtë arsye emigrantët duhet të qëndrojnë në Itali.

Në një deklaratë për mediat, kryetarja e seksionit Luciana Sangiovanni tha se emigrantët duhet të dërgohen në Itali.

Po kush është gjyqtarja që bëri me “dhimbje koke” Melonin?

Silvia Albano, 63 vjeçe është gjyqtare në seksionin e emigracionit në gjykatën e Romës. Albano mori vendimin për CPR-të në Shqipëri. 

U deklarua kundër që në fillim, kush është gjyqtarja
Gjyqtarja Silvia Albano

“Il Giornale” shkruan se ajo e ka hedhur poshtë planin e qeverisë Meloni që në fillim si një "deportim", një shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të komunitetit, e ndaluar nga direktivat evropiane. Pra Albano e kishte bërë të ditur paraprakisht opinionin e saj, sapo kishte nisur plani i transferimit.

Gjyqtarja Albano, nga Padova por prej kohësh e transferuar në Lacio mishëron dy shpirtra: është gjyqtare në seksionin e emigracionit në gjykatën e Romës, por është edhe presidente kombëtare e Gjyqësorit Demokratik, rrymës së rrobave të kuqe.

Albano si duket priste me padurim të përballej me planin e qeverisë edhe si gjyqtare. Rastësisht, midis gjashtëmbëdhjetë gjyqtarëve që punojnë në seksionin e emigracionit të gjykatës së Romës, në tryezën e saj mbërriti dekreti i ndalimit i firmosur nga komisari i policisë së Romës për dymbëdhjetë refugjatët e mbyllur në Gjader.

Ajo e dinte që kur firmosi anulimin, se po e vinte veten në një përplasjeje me qeverinë.

Ndërkohë, vendimi i djeshëm i  gjykatës në Romë ka ndezur politikën në Itali. Kryeminsitrja italiane Gorgia Meloni, reagoi pas vendimit por nuk e komentoi atë. Sipas Melonit, tre parti të opozitës PD, M5S dhe AVS i kanë kërkuar Komisionit Europian nëse synon të hapë një procedurë shkeljeje kundër Italisë për marrëveshjen për flukset migratore me Shqipërinë.

Acarimi i Melonit duket se është më i madh me partitë e opozitës në Itali sesa më vendimin e gjykatës pasi sipas saj këto parti italiane, në fakt po i kërkojnë Evropës të sanksionojë kombin e tyre dhe qytetarët e saj, me qëllimin e vetëm për të sulmuar politikisht qeverinë. Ky sipas Melonit është një turp që nuk mund të mos vihet re.

 

silvia albano  meloni emigrantet

Lini një Përgjigje