TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Qershor 2024, 17:36

Rikthimi i Tonin Gjurajt, ikja e “Luigj Gurakuqit” nga provincializmi!

Shkruar nga Pamfleti
Rikthimi i Tonin Gjurajt, ikja e “Luigj Gurakuqit” nga
Tonin Gjuraj

Rikthimi i Tonin Gjurajt në Shkodër, është një shans i rëndësishëm për ta ndarë “Luigj Gurakuqin” nga një kuvli arsimor province, e për ta bërë edhe më të lavdishëm se ILA-ja e kohës...

Luigj Gurakuqi”, si institucioni më i rëndësishëm i Arsimit në Shkodër ka pasur dy jetë. Jetën e parë si Institut i Lartë i Arsimit dhe jetën e dytë si Universitet.

Si Institut i Lartë Arsimor, ku dilnin mësues nga të gjitha rajonet e Shqipërisë, “Luigj Gurakuqi” arriti të bëhej më i miri ndër të gjithë homologët e tij në vend.

Niveli i përgatitjes së arsimtarëve, por edhe kërkimi shkencor në këtë fushë i pedagogëve të këtij institucioni njohu respekt e autoritet në rang kombëtar.

Emra të mëdhenj si Jup Kastrati, Mahir Hoti, Vehbi Hoti, Gëzim Hoxha etj., etj., u kthyen në shkencëtarë të një rangu kombëtar.

Por pas vitit 1990, Instituti i Lartë i Shkodrës, që ka nxjerrë me mijëra mësues nga i gjithë vendi, u bë Universitet. E si i tillë, përveç lëndëve të përfshira në mësuesi, pra Cikël fillor, Gjuhë- Letërsi, Histori-Gjeografi, Matematikë, Bio-Kimi, Fizikë, u shtua në fillim juridiku, më pas ekonomiku, e më vonë gazetaria, e madje edhe infermieria.

Në mënyrë të dhimbshme, “Luigj Gurakuqi” u kthye si gjithandej në vend, në një megakioskë që prodhonte tallava, diploma pa vlerë e mitomanë e delirantë pa fund.

Emrat më të njohur sot që kanë dalë nga ai institucion, janë të kohës kur ishte ILA.

Pikërisht kjo gjendje kaotike e ka kthyer Universitetin e Shkodrës, një vend ku prindërit, por edhe maturantët nuk duan të regjistrohen. Çdo vit e më shumë, rrallohen të regjistruarit. Me logjikë, pasi s’ke përse të investosh për një diplomë që nuk vlen. Mjafton një rekord, me hapjen e juridikut, ajo degë u dynd nga shefat e komisariateve apo kursantët e plepave që vrapuan të merrnin diploma në vitet 90. E kështu doli barcaleta “Shkolla e Partisë”.

Njolla si “Shkolla e Partisë” nuk u hoq asnjëherë këto 30 vjet, ku janë ndërruar shumë rektorë. Sot, ka një lëvizje të re.

Tonin Gjuraj, një emër i njohur në opinion, jo vetëm në atë akademik, po kandidon si rektor. Profesor Gjuraj, e ka nisur karrierën e tij po në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, madje jo vetëm si pedagog i Sociologjisë, por edhe si shefi i parë i marrëdhënieve me jashtë, ku në atë kohë universiteti pati kërcimin më të rëndësishëm cilësor. Profesorë të Universitetit të Shkodrës u trajnuan në katedrat më të rëndësishme të Athinës, Romës, Vjenës, e universiteteve më në zë të Europës, falë marrëdhënieve të reja, programeve të njohura europiane si Erazmus etj.

Profesor Gjuraj, më pas ju kushtua diplomacisë, ku ka qenë ambasador në disa vende, por sapo mbylli mandatet diplomatike ju kthye karrierës akademike, ku zëvendësoi Adrian Civicin si rektor i Universitetit Europian të Tiranës. Një nga universitetet private më proaktiv dhe cilësorë në vend. Që ka dhënë një dorë të madhe, kryesisht në mbrojtjen, promovimin e fuqizimin e pozitës së profesoratit. Duke mos u bërë asnjëherë me pronarin përpara kolegëve të tij.

Rikthimi i tij në Shkodër, është një shans i rëndësishëm për ta ndarë “Luigj Gurakuqin” nga një kuvli arsimor province e për ta bërë edhe më të lavdishëm se ILA-ja e kohës. Profesor Gjuraj, ka 'know how', pra dijet, shkathtësinë e diplomacinë për ta lidhur me universitetet më të mira të Europës, e ç’është më e rëndësishmja, për të mos u bërë servil i pushtetit para pedagogëve. Kur nuk e ka bërë te privati, që të heq bukën e gojës kur të dojë, as nuk e ka problem për te shteti.

Ndërkaq, Tonin Gjuraj, është edhe një model real i asaj që ne themi, depolitizim i arsimit të lartë, ku departamentet e dekanatet nuk kthehen në seksione partie, siç ka ndodhur këto 33 vjet. Gjuraj i ka dhënë provat në vite që ka vullnet dhe ide për këtë, si dhe diplomacinë për të shmangur përplasjen.

Shkodrës, përkatësisht Universitetit, i vjen një shans i rëndësishëm i një niveli kaq të lartë. Me CV-në e tij, prof. Gjuraj mund të lidhë padyshim një kontratë në çdo universitet të njohur rajonal e evropian. Sfida e tij për Shkodrën, është në realitet “nepsi” e ambicia e çdo shkodrani që ka arritur diçka në jetë. Megjithatë, një CV kaq të pasur, asnjëherë nuk ka pasur një konkurrent për “Luigj Gurakuqin”. Ah, është edhe një gjë tjetër. Prof Gjuraj, do të heqë padyshim edhe inatet e vogla provinciale, tribale e religjioze që sa herë shfaqen, e rrezikojnë Shkodrën të mos bëhet metropol. Shkurt, “Luigj Gurakuqi” nga një universitet province, me Tonin Gjurajn kthehet në Universitet Metropolitan, kosmopolit, e madje edhe ndërkombëtar! /Pamfleti

Lini një Përgjigje